Marina argjentinase vazhdon kërkimet për nëndetsen

E publikuar: 24/11/2017 18:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marina argjentinase njoftoi sot se do të vazhdojë kërkimet për nëndetësen e zhdukur, pavarësisht të dhënave për një shpërthim të mundshëm pranë vendit ku ajo u zhduk rreth nëntë ditë më parë.

Sipas zëdhënësit të marinës nuk ka të dhëna që të tregojnë se nëndetësja “ARA San Juan” dhe ekuipazhi i saj prej 44 vetësh të jenë sulmuar.

Por sipas tij derisa të sigurohen prova mbi vendndodhjen e nëndetëses nuk do të dilet me një përfundim të qartë.

Në komunikimin e fundit me ekuipazhin e nëndetëses u raportua një problem me baterinë dhe kjo kishte sjellë devijimin e nëndetëses drejt bazën në Mar del Plata. Por ekuipazhi nuk dërgoi asnjë sinjal alarmi.

Nëndetësja ishte e furnizuar me oksigjen vetëm për shtatë ditë, sasi që mund të ketë përfunduar prej së mërkurës.

Kërkimi një javor është fokusuar në pozicionin e fundit ku mendohet të ketë qenë nëndetësja, rreth 320 kilometra larg bregut argjentinas. Por kërkimet janë penguar nga moti i keq.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia kanë dërguar personel special dhe pajisje të posaçme për të ndihmuar në kërkimet për gjetjen e nëndetëses.