Maratonë në Antarktidë

E publikuar: 04/12/2017 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diçka e jashtëzakonshme ndodhi javën e kaluar në cepin e largët të botës. 55 vrapues, njerëz mjaft të vendosur dhe gati të çmendur,morën pjesë në maratonën që u zhvillua në kontinentin e Antarktidës.

Ky nuk është një vrapim i thjeshtë në mot të ftohtë, por në mes të acarit.

“Mezi pres të marr pjesë në këtë sfidë me këtë mot shumë të mirë sot. Është shumë ftohtë, kështu që duhet të vrapojmë”, thotë Detleff Oetter, vrapues nga Gjermania.

Këta 55 persona janë duke marrë pjesë në një maratonë në Antarktidë. Megjithëse duket e pabesueshme, është hera e trembëdhjetë që zhvillohet kjo garë vjetore.

Shtegu i vrapimit u përcaktua mbi sipërfaqen e akullnajës ku ndodhet kampi i eksplorimit. Gara përbëhet nga dy rrotullime, secila rreth 21 kilometra e gjatë. Temperatura është -25 gradë celcius.

“Nuk jam mësuar me kaq shumë ftohtë. Jam sigurisht pak i frikësuar, por ruaj pozitivitetin dhe mendoj se do shkojë shumë mirë”, thotë Andreas Jonsson, nga Suedia.

Doktorët i vëzhguan vrapuesit nga afër gjatë gjithë garës, për shenja hipotermie apo dehidratimi.

Fitues doli vrapuesi nga Danimarka, Frank Johansen, që e mbaroi garën për 3 orë dhe 37 minuta.

“Sa keq që mbaroi. Pjesa e dhimbshme është kur arrin finishin… A ta bëj dhe një xhiro tjetër?”, thotë fituesi Frank Johansen.

Garën për femrat e fitoi vrapuesja amerikane Kelly McClay.

“Ishte fantastike. Ishte një vrapim i mrekullueshëm dhe gjithçka që mund të kisha imagjinuar”, thotë fituesja Kelly McClay.

Gjithsej, 53 vrapues e përfunduan garën. Një tjetër garë zhvillohet në mesin e dhjetorit. Janë hapur gjithashtu regjistrimet për maratonën e 2018-tës dhe pagesa për person është 20 mijë dollarë.