Maqedonia, qerre me thera

E publikuar: 25/05/2015 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aeroporti në Maqedoni mban emrin «Aleksandri i Madh».

Kjo i bie sikur t’u ngrihet gishti i mesëm grekëve, shkruan magazina amerikane «National Online Review» në një reportazh të gjatë për këtë vend.

Në vijim pjesa e parë e udhëpërshkrimit mahnitës. Pjesët e tjera do të botohen në ditët e ardhshme.

Është hera e parë që në Maqedoni shoh një «Burger King».

Është gjëja e parë që më bie në sy kur zbres prej aeroplanit dhe hy në aeroport. Me apo pa «Burger King», Maqedonia është larg prej Amerikës. Është një pjesë e mrekullueshme, absorbuese, e veçantë dhje telashesjellëse e botës. Ku është Maqedonia? Çfarë është puna e saj? Juve mund t’ua thotë mendja se këto janë pyetje pa sherr, por flasin për një qerre me thera. Maqedonia ishte një mbretëri antike. Heroi i madh në këtë pjesë të botës është Aleksandri i Tretë, më shumë i njohur si Aleksandri i Madh (Leka i Madh).

Maqedonia sot është rajon dhe shtet. Rajoni përbëhet prej pjesëve të Greqisë dhe Bullgarisë dhe pjesës tjetër të vendit. Shteti është Republika e Maqedonisë, ish-pjesë përbërëse e Jugosllavisë. E fitoi pavarësinë më 1991. Maqedonia ka territor sa Marylandi, e popullsi prej dy milionë banorësh. Vendi ndodhet në veri të Greqisë, dhe fqinj gjithashtu ka Bullgarinë, Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë.

Kur jeni në Greqi, kujdes të mos iu rrëshqas gjuha të thoni «Maqedoni». Mund t’i prekni grekët në tel. Në mbamendjen greke, Maqedonia është epokë. Po kur flitet për njerëzit që jetojnë në veri të Greqisë, e keni fjalën për ish-republikën jugosllave? Ata kanë uzurpuar emrin dhe vodhën historinë.

Frika greke – ose më mirë të themi grekët i druajnë se republika po i cenon. Rritje apetitesh e aspiratash të Maqedonisë së madhe. Aq e zjarrtë është kjo «çështja e emrit», saqë grekët kanë bllokuar anëtarësimin e republikës në BE dhe NATO. Grekët në mes të viteve nëntëdhjetë shkuan aq larg sa i vunë embargo ekonomike republikës. Kjo e dëmtoi fort vendin (fjalën e kemi për Maqedoninë). Kështu, Maqedonia i zbuti pak fjalët. E ndërroi flamurin. Më parë kishte një simbol antik maqedonas, që i çarti grekët. Tani ka një flamur me sfond të kuq e me njëfarë dielli të verdhë, që të kujton flamurin e Arizonës tonë (ose flamurin tibetian, që të kihet më e qartë për lexuesit anembanë). Maqedonia e ndërroi edhe kushtetutën, vetëm që t’i bëhej e qartë fqinjit jugor se nuk kishte pretendime territoriale.

Grekët e hoqën embargon. Ama, sebepi i punës së emrit, grekët vazhdojnë ta bllokojnë procesin e integrimit në BE dhe anëtarësimin në NATO. Qysh mund ta bëjnë një gjë të tillë? Epo, e kanë fuqinë e vetos. Të gjitha shtetet anëtare duhet të pajtohen para se t’i hapet dera anëtarit të ri. Këtu s’ka dilemë. Ne amerikanët e kemi njohur më 2004 Maqedoninë si «Maqedoni». Kombet e Bashkuara ende i referohen vendit si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ose FYROM. Grekët, për t’i hedhur maqedonasit në fund të pusit, u referohen si «Fyromianë» (ose edhe më poshtërueshëm).

«Çështja maqedonase», qysh njihet në histori, s’e ka lënë rehat Ballkanin qe një kohë të gjatë. Dhe pyetja përfundimtare është: «Çka është Maqedonia? Qysh duhej të ishte. Ku ndodhet? Ku duhej të ishte?»

Ju mund ta shihni edhe vetë.

Në aspektin etnik, republika s’ka si të jetë më ballkanike. Rreth 65 për qind e popullsisë janë maqedonas etnikë. Ata flasin një gjuhë sllave dhe praktikojnë krishterimin ortodoks lindor (deri në pikën më të fundit fetare). 25 për qind e popullsisë janë shqiptarë, që flasin shqip dhe fe kanë islamin. Pjesa tjetër e popullsisë janë turq, romë, vlleh dhe kështu me radhë. Është e dukshme se nuk ka martesa ndërmjet anëtarëve të etnive të ndryshme. I them një miku: «Jepi. Djemtë janë djem dhe vajzat, vajza. Ata do të dalin bashkë. Ma ha mendja se ka rrëfime të Romeo e Xhulietës këtu». Ai thotë: «Përnjëmend po të them se s’ka» – nuk ka asnjë fije dyshimi se e di çka po flet, sepse nuk është një banor i thjeshtë, por një alamet autoriteti në vend.

Aeroporti në Maqedoni mban emrin «Aleksandri i Madh». Kjo i bie sikur t’u ngrihet gishti i mesëm grekëve. Ata mendojnë se Aleksi është i tyre, epoka e tij. Një tjetër punë e gishtit të mesëm të ngritur është në qendër të Shkupit, kryeqyteti maqedonas. Është vendosur një shtatore gjigante e Aleksit. Qeveria, asi konservatore, nuk ka lënë vend pa shtrirë dorën shënjuese anembanë Shkupit, duke ndërtuar objekte neoklasike. Ja ku është shtatorja e Aleksandrit. Është Porta e Maqedonisë, një Hark lokal triumfi. Ka monumente të figurave të ndryshme të pavarësisë.

Shkupi është mësuar me këto ndryshime të rrufeshme fasadash. Ishte dridhur në dekadat e kaluara prej dy tërmeteve. Njëri ishte tërmeti shkatërrimtar i vitit 1963. Shkatërroi tetëdhjetë për qind të qytetit. Katastrofa tjetër afërmendsh se ishte komunizmi, me preferencën e tij për arkitekturë brutale. Pak gjëra kanë mbetur prej epokës së para-komunizmit në Shkup.

Siç edhe thashë, kozmetika është e mirëseardhur – e kam fjalën për vete. Nuk i pëlqen edhe të majtës, që ia ha mendja se qeveria konservatore po tregohet megalomane dhe nacionaliste. Mbase e majta do të mund të jetonte në ndonjë qytezë tjetërkund, me gjithë brutalitetin dhe shëmtitë tjera që i duan? Kjo është pyetje për një milion dollarë.

Është interesante se si  shpeshherë përputhet arkitektura dhe ideologjia. Shkupi tani ka rrugën «Reagan». Në të kaluarën, qyteti kishte rrugë me emra të Marskit, Leninit, Titos, Ho Chi Minhit dhe Allendes. I fundit që shkoi ishte Lenini. Një promenadë e këndshme mbante emrin e Titos. Tani quhet thjesht «Rruga Maqedonia». Një mik konservator ma shpjegon: «Pala jonë nuk preferonte që rrugët të emërtoheshin me emra personash. Ne nuk donim që e majta të tërbohej. Kështu që na i mori mendja se ishte më sigurt dhe më unifikuese të kishim ‹Maqedonia›».

Popullsia shqiptare është myslimane, siç e do rendi, por jo edhe shqiptarja më e famshme maqedonase. Ajo ishte Nënë Tereza, lindur më 1910 në Shkup. Ka një shtatore të saj, menjëherë pas rrugës «Maqedonia». Shumë bukur. Derisa po shkruaja historinë time të Çmimit Nobel për Paqe, nisi të mos më ndahej kureshtja për jetën e saj. (Ajo e fitoi çmimin më 1979.) Mora vesh se nuk ishte bash krejt ashtu qysh adhuruesit e saj shpresonin të ishte.

Çka po më shihnin sytë e mi kureshtarë? A është fjala për një KFC? Shoh pulën e pjekur aroma e së cilës s’po më linte rehat. More, mos është fjala për MFC! Pulë e Fërguar Maqedonase.

O Perëndi e lume. Çfarë do të thoshte Koloneli?

Shkupi ka çarshinë turke, të njohur si Çarshia e Vjetër. Është një vend fort i lezetshëm ku mund ta shëtiteni, hani, bëni pazar e çka jo. Në kasaphane, qengjat janë varur në çengela. Nuk janë fort njomakë. A thua janë dhi? Apo diçka tjetër? Në një berberhane, shoh makina «oldtimer» varur në faqet e murit prapa shpinoreve të karrigeve. Do të shkrihesha po të mund të ulesha e t’ia krisja muhabetit me berberin për thashethemet e fundit.

Në pazar ka shumë flamuj turq, por edhe disa portrete të Erdoganit, presidentit turk. Po drekon në një restorant Boris Trajanovi, bariton maqedonas. Ai tani ka koncerte në sallën lokale. Ka rol në «Makbethin» e Verdit. Ky Trajanovi seç ka një çehre indiani amerikan. Nuk kam çare pa e thënë, me flokë të gjata të zeza korb, hedhur bisht mbi shpatulla. Ka çehren e burrit të vaktit me një zë që për dreq ia ke lakmi. Meqë ra fjala, muzikanti më i famshëm maqedonas në botë – e kam fjalën për muzikë klasike – mbase është Simon Trpçeski, pianist. Jeton në Shkup.

S’ka muzikë pa hebrenj. Zor se mund të ketë muzikë pa hebrenjtë. Edhe ata dikur jetonin në këto anë: madje rreth shtatë mijë hebrenj. Ishin dërguar në Treblinka prej bullgarëve pushtues. (Bullgarët kishin shpëtuar të tyret.) Tani kanë mbetur nja 150 syresh. Edhe kjo mund të jetë shifër e lartë. Qeveria e sfiduar maqedonase ka hapur një muze për Holokaustin në lagjen e vjetër hebraike. Punë e dinjitetshme kjo.

Miqtë e mi konservatorë këtu janë në pozitë interesante kur flitet për vendin e tyre dhe BE-në. Ata janë euroskpetikë dhe hezitojnë ta pranojnë se mund ta shohin Maqedoninë në BE. Njëkohësisht desh po plasin që therë në këmbë u janë bërë grekët. Dhe ata çarten edhe më fort kur flasin për faktin pasues: Greqia, që i ka bllokuar, duket se është shteti i parë i BE-së nëpër të cilin do të shtrihen tubat./DialogPlus/