Maqedonia e Veriut paralajmëron heqjen e testit PCR për Kosovë

E publikuar: 23/07/2020 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucionet e Maqedonisë së Veriut thonë se gjendja me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është e qëndrueshme, andaj edhe besojnë se nuk ka nevojë për rikthimin e masave kufizuese apo vendosjen e masave të reja.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se periudha që nga paraqitja e rasteve të para e deri te rritja e tyre në masë të madhe ka dëshmuar se masat kufizuese mund të jenë efikase, por vetëm për një afat të shkurtër meqë pas çdo heqje të kufizimeve janë paraqitur raste të reja. Andaj, sipas tij, me këtë sëmundje shtetet mund të përballen vetëm duke i respektuar masat mbrojtëse.

“Karantina nuk është masë adekuate. Ne kemi masa, të cilat nëse respektohen, do të kemi një situatë shumë më të mirë. Çdonjëri prej nesh duhet të mbajë maskë, të ruajë distancën në vende publike ku ka më shumë njerëz, apo në vende të mbyllura, në punë, në institucione, zyra e kështu me radhë. Kufizimi i lëvizjes nuk është zgjedhje e përhershme. Për një moment mund të duket si zgjidhje, por vetëm përkohësisht meqë pas çdo lirimi të masave, paraqiten raste. Virusi është këtu dhe ne duhet të mësohemi të jetojmë me të, por duke i respektuar masat mbrojtëse”, ka deklaruar Filipçe.

Veç kësaj, ministri i Shëndetësisë, FIlipçe, paralajmëron edhe heqjen e të gjitha kufizimeve në pikat kufitare, respektivisht heqjen e testeve PCR, vendim ky që vlen për shtetasit e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe ata të Bosnjës.

“Këtë fundjavë në seancën e Komisionit për Sëmundje Infektive do të bisedojmë për hapjen e kufijve. Vendimi do të bazohet në analizat mbi gjendjen aktuale në gjithë rajonin ku kemi thuajse vlera të njëjta epidemiologjike. Ja tani po hapen edhe aeroportet në të gjitha shtetet, kuptohet duke i respektuar masat mbrojtëse, maskat, distancën dhe higjienën”, ka thënë Filipçe.

Kundër masave kufizuese janë edhe bizneset, të cilat po përballen me pasoja të rënda për shkak të pandemisë.

“Ne nga qeveria e re do të kërkojmë që të vazhdojë me masat në mbështetje të bizneseve edhe për muajt korrik, gusht dhe shtator, në mënyrë që të mund të mbijetojmë dhe t’i mbajmë punëtorët. Në të kundërtën, do të kemi përkeqësim edhe më të madh të gjendjes duke marrë parasysh paralajmërimet për valë të re të virusit në vjeshtë. Njerëzit janë në panik, kur nuk kanë të ardhura dhe kur nuk kanë punë, kjo reflektohet negativisht në gjithë shtetin”, është shprehur Mile Boskov nga Konfederata e bizneseve.

Maqedonia e Veriut, aktualisht, ka të regjistruar më shumë se 9,400 persona të infektuar me COVID-19, prej tyre deri të mërkurën 432 kanë vdekur, 4,940 janë shëruar ndërsa 4,040 ende janë aktiv.

Në Klinikën Infektive në Shkup me një kapacitet prej 110 shtretërish, janë të shtruar 86 persona, por ndërkohë është ngritur edhe një spital mobil me 70 shtretër. Vende të lira ka edhe në të gjitha spitalet në qytetet tjera që, po ashtu, janë pajisur me kushtet e nevojshme për trajtimin e pacientëve me koronavirusin e ri.