Maqedonia e Veriut, pak gjasa që të fitojë kornizën negociuese me BE-në

E publikuar: 07/12/2020 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjasat janë të vogla që deri të martën, në samitin e Bashkimit Evropian të ketë ndonjë zhvillim të ri në situatën aktuale, veçanërisht duke pasur parasysh dështimin e takimit të fundit të komitetit të përbashkët bullgaro-maqedonas për çështje historike. Kështu ka deklaruar eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, lidhur me mundësinë e ndryshimit të pozicionit të Bullgarisë sa i përket bllokimit të kornizës negociuese me BE-në, në pritje të Këshillit të ministrave, që takohen të martën.

Siç transmeton agjencia bullgare, BGNES, Kovaçev ka thënë se kryeministri maqedonas, Zoran Zaev duhet të demonstrojë “guxim dhe inkurajim më të madh” në mënyrë që të zbatojë Marrëveshjen e fqinjësisë midis dy vendeve.

“Nëse në Komisionin e përbashkët për çështje historike dhe edukative të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, kolegët nga Shkupi kanë frikë të pranojnë faktet, atëherë duhet të gjenden mekanizma të tjerë për zbatimin e marrëveshjes. Bashkimi Evropian ekziston jo për të urrejtur njëri-tjetrin, por për të jetuar së bashku në tolerancë të plotë”, tha Kovaçev.

Autoritetet maqedonase shpresojnë se deri në momentin e fundit, ndoshta Bullgaria mund të lëvizë nga qëndrimet e forta dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Kryeministri Zaev kohë më parë një intervistë për mediat bullgare kishte mohuar ekzistimin e fashizmit bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa kishte folur edhe për afërsinë gjuhësore mes dy popujve. Por, kjo deklaratë kishte nxitur reagime të shumta e deri në protesta nga ana e opozitës në Maqedoni të Veriut, që vazhdojnë tani disa ditë në qytete të ndryshme. Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE e akuzon kryeministrin Zaev për tradhti të interesave kombëtare e shtetërore.

Kryeministri Zaev ndërkohë ka mohuar që me palën bullgare po negociohet për gjuhën dhe identitetin maqedonas, që është edhe kërkesës e Sofjes që Shkupi të pranojë se sikur gjuha maqedonase ashtu edhe prejardhja e tyre, kanë rrënjë bullgare.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, veton bullgare për kornizën negociuese e ndërlidh me zgjedhjet në Bullgari. Sipas tij, çdo parti politike atje që do të pranonte të lëshonte pe në kërkesat kundrejt Maqedonisë së Veriut, kjo do të mund të kishte pasoja për të në zgjedhje.

“Tërheqja nga kjo çështje nga ana e Sofjes zyrtare do të shihej si një koncesion ose si një lëshim pe nga ana e qeverisë së (Bojko) Borisovit dhe (Krasimir ) Karakaçanovit gjë që edhe do të mund të ndikonte negativisht në zgjedhjet e marsit”, thotë Neziri duke shtuar se ndryshim të pozicionit bullgar nuk pret të ndodh para zgjidhjeve në muajin mars.

Zgjidhja sipas tij mund të arrihet në kuadër të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, përmes ndonjë aneksi të veçantë apo edhe përmes një marrëveshjeje krejt të re.

“Pres që pasi të formohet qeveria e re, me gjasë që ajo sërish të përbëhet nga partia e kryeministrit Borisov, e cila llogaritet si parti properëndimore, duhet të formohet kjo qeveri që kjo çështje të zgjidhet, ose me ndonjë aneks të marrëveshjes ku do të përfshihet edhe ajo që kërkon Sofja zyrtare, një dokument ku do të vendosen qartazi edhe datat e zbatimit të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar analisti Xhelal Neziri.

Më 17 nëntor, Bullgaria zyrtarisht bllokoi nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Sofja vendosi veto për kornizën negociuese. Për kalimin e kësaj kornize duhej votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.