Maqedonia e Veriut heq gjendjen e jashtëzakonshme

E publikuar: 12/06/2020 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka vendosur të mos e vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme e cila përfundon më 13 qershor, me çka i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Në një paraqitje para opinionit, presidenti Pendarovski tha se vendimin për ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme e ka marrë pas vlerësimit se qeveria teknike ka përmbushur të gjitha detyrimet për përballje me pandeminë, në kohën kur vendi nuk ka parlament funksionale, pasi i njëjtiështë shpërndarë më 16 shkurt.

“Të gjitha vendimet për gjendje të jashtëzakonshme i pata miratuar për shkak të nevojës që qeveria teknike, të gjitha vendimet që do t’i miratonte të kishin efekte ligjore, me qëllim që të mund të përballet me pasojat e pandemisë, por edhe miratimin e vendimeve tjera në sferën ekonomike. Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, kam vlerësuar se më nuk ka nevojë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi qeveria, sipas informatave që kam tashmë, ka siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për përballjen me pandeminë, ndërsa janë miratuar edhe të gjitha masat tjera për mbështetjen e ekonomisë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Presidenti maqedonas ndërkohë ka thënë se pas këtij vendimi, tani i takon partive që sa më shpejt të merren vesh për datën e zgjedhjeve, ndërsa publikisht i ka ftuar në takim liderët e dy partive kryesore politike, Zoran Zaevin nga LSDM-ja dhe Hristijan Mickovskin nga VMRO-DPMNE.

“I ftoj publikisht që të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje për dalje nga kjo situatë, duke i vendosur interesat shtetërore mbi ato personale dhe partiake, pasi në të kundërtën vetëm do t’i hapim derën një krize më të madhe politike. Me këtë, ne nuk do të vendosim në pikëpyetje perspektivën evropiane, por edhe përpjekjet tona që të kapërcejmë pandeminë COVID-19”, ka deklaruar Pendarovski.

Liderët e partive kryesore nuk po merren vesh për datën e zgjedhjeve për shkak të gjendjes me koronavirusin. Lidhja Social Demokrate (LSDM) insiston mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë, madje më 5 korrik, për të zgjedhur, siç thonë, institucionet e reja që të përballen me sfidat në të cilat ndodhet vendi.

“Në rrethana të këtilla unë vetëm mund të them se zgjedhjet duhet të mbahen një orë e më parë. Duhet të kemi institucione funksionale. Kjo është shumë me rëndësi për shtetin, pasi ne tani pesë muaj nuk kemi kuvend, tani gjashtë muaj po funksionojmë me qeveri teknike e cila ka autorizime të kufizuara, prandaj duhet të mbajnë zgjedhje për të për rikthyer institucionet dhe për t’u përballur me sfidat që ndodhen para nesh”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Por, VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin që zgjedhjet të mbahen vetëm pas normalizimit të gjendjes me COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndërkohë ka theksuar se nuk sheh ndonjë problem që zgjedhjet të mbahen edhe tani në kohë pandemie, por ka theksuar nevojën për respektimin e masave mbrojtëse.

“Çfarëdo ngjarje, në të cilën organizatorët dhe pjesëmarrësit e tjerë do të respektonin protokollet, rekomandimet e mjekëve, të Komisionit për sëmundje infektive, absolutisht se nuk ka asnjë pengesë që ato të mbahen, përfshirë edhe zgjedhjet”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.