Maqedoni e V.: Qeveria të heqë dorë nga investimet joproduktive

E publikuar: 05/05/2020 17:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Masat që ka ndërmarrë Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë këtyre dy muajve për të ndihmuar sektorin e biznesit tashmë të afektuar nga koronavirusi janë në vlerë prej 200 milionë euro, përderisa qeveria deri më tani ka marrë borxh prej 500 milionë euro nga institucionet financiare.

Deri më tash, koronavirusi ka shkaktuar një humbje prej 50 milionë eurove në buxhetin e shtetit.

Ministrja e Financave, Nina Angelovska thotë se goditja që i ka shkaktuar kriza e koronavirusit ekonomisë së vendit, është më e vogël saqë ishte parashikuar, duke bërë të ditur se të hyrat buxhetore gjatë muajit prill kanë shënuar rënie prej 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Ekonomia pritet të bie 3,4 për qind

Ndërkohë që të ardhurat tatimore gjatë muajit prill janë ulur për 31 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përderisa projeksionet e qeverisë ishin se kjo rënie do të arrinte deri në 40 për qind.

“Skenari bazë i Ministrisë së Financave parashikon ngadalësim të aktivitetit ekonomik me 3,4 për qind, që do të thotë se efektet e krizës së koronavirusit pritet të jenë në tremujorin e dytë. Në tremujorin e tretë pritet ngadalësim i kontraksionit, ndërsa në të katërtin rikuperim i ekonomisë dhe rezultate të caktuara pozitive”, ka theksuar për mediat ministrja e Financave, Nina Angelovska.

Ekspertët e ekonomisë thonë se paratë që ndan shteti për të subvencionuar biznesin nuk do të kenë ndikim pozitiv përderisa mungon menaxhimi i sinkronizuar i të gjitha institucioneve, veçanërisht në ruajtjen e numrit të të punësuarve. Ata kritikojnë qeverinë, që ka vendosur të subvencionojë edhe kompanitë që kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Ekspertët njëherësh theksojnë se është e vërtet se shpenzimet gjatë kohës së krizave rriten dhe Maqedonia e Veriut si shtet duhet të bëhet gati që të negociojë për shtyrjen e borxheve aktuale dhe marrjen e borxheve plotësuese.

Por, para kësaj, vendimtare do të jetë menaxhimi i financave publike nga ana e institucioneve të shtetit.

Borxhe nga jashtë për rimëkëmbjen e ekonomisë

Visar Adem ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se kostoja e krizës së pandemisë së koronavirusit do të jetë shumë më e lartë nga ajo që parashikon qeveria.

“Unë mendoj se kjo shumë e shtetit nuk është e mjaftueshme, sepse prej 800 deri në 1 miliard e 200 milionë euro tashmë mungojnë në buxhetin e shtetit dhe normalisht kjo lloj shume do të duhet të kompensohet nga kreditë afatshkurta që merren në ndonjë nga institucionet financiare. Do të duhet të gjendet ndonjë mënyrë që normat e interesit të jenë sa më të ulëta sepse nëse nuk ngritet vlera e mjeteve që do të japë qeveria, do të ketë reperkusione të mëdha për sektorin privat, para së gjithash sa i përket punësimeve në këtë sektor, pra do të këtë largime dhe kjo do të ndikojë në pjesën konkurruese të ekonomisë në tregjet rajonale”, thotë Ademi.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi ka bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për të menaxhuar me krizën e koronavirusit tashmë ka marrë hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, 176 milionë euro, nga Banka Botërore 140 milionë euro dhe nga Bashkimi Evropian, 160 milionë euro, me qëllim që të ndihmojë ekonominë e vendit.

Nga 7 mijë kompani, 5 mijë kanë marrë ndihma nga shteti

Në këtë drejtim, Visar Ademi thotë se shteti në këtë moment duhet që të heqë dorë nga investimet joproduktive, duke orientuar çdo qindarkë në rimëkëmbjen e sektorit privat që gjithnjë e më shumë do të lëngojë nga pasojat e koronavirusit.

“Ajo që është më e rëndësishme është që njëherë e përgjithmonë qeveria të largohet nga praktikat e keqpërdorimit të arkës së shtetit. Tani, me shumë rëndësi është të hiqet dorë edhe nga investimet joproduktive. ËshtëËshtë paradoksale që tani të shohim fatura siç ishte ajo prej 5 mijë euro për mish apo blerje të divaneve luksoze, në momentin që shteti po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe shumë biznese luftojnë për të mbijetuar”, thotë Ademi.

Ndryshe, deri më tani në Maqedoninë e Veriut pjesa më e madhe e kompanive që kanë marrë ndihma nga shteti, përkatësisht 5 mijë nga gjithsej 7 mijë kanë aplikuar që t’iu subvencionohet paga minimale.