Manekinia e njohur izraelite dënohet me nëntë muaj shërbim të komunitetit

E publikuar: 13/09/2020 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një gjykatë izraelite dënoi manekinen Bar Refaeli me nëntë muaj shërbim komunitar dhe nënën e saj me 16 muaj burg, duke i dhënë fund një çështje të gjatë evazioni fiskal që dëmtoi imazhin e ikonës dikur të dashur të Izraelit.

Refaeli hyri në sallën e gjyqit me një maskë mbrojtëse në fytyrë, e shoqëruar nga babai i saj Raffi, nëna Zipi dhe një avokat.

Tridhjetë e pesëvjeçarja Rafali dhe nëna e saj u gjetën fajtore në korrik për shmangien e taksave të të ardhurave prej gati 10 milionë dollarësh.

Bazuar në marrëveshjen e pranuar nga gjykata, ata u urdhëruan të paguajnë një gjobë prej 1.5 milion dollarësh dhe t’i kthejnë taksat që i detyrohen shtetit.

Zipi Refaeli do të fillojë vuajtjen e dënimit me burg javën e ardhshme.

Çështja bazohet në të ardhurat e Bar Refaelit në të gjithë botën dhe përpjekjet e familjes së saj për të zbehur lidhjet e saj me Izraelin.

Ajo është ende e njohur në atë vend dhe fotot e saj mund të shihen në billborde afër autostradave, dhe vitin e kaluar ajo ishte nikoqire e konkursit të këngës Eurovision në Tel Aviv.

Manekinia ka udhëtuar nëpër botë për vite me radhë dhe fotografia e saj u botua në ballinën e revistës Sports Illustrated, dhe ajo gjithashtu tërhoqi vëmendjen për shkak të marrëdhënies së saj të gjatë me aktorin e Hollywood-it Leonard DiCaprio.

Refaeli pretendon se ajo nuk qëndroi të shumtën e kohës në Izrael dhe për këtë arsye nuk iu desh të deklaronte të ardhurat e saj gjatë viteve të caktuara.

Prokurorët refuzuan pretendimin e saj dhe e akuzuan atë për dhënie të informacionit të pasaktë.

Aktakuza pretendon se ajo fitoi rreth 7.2 milionë dollarë nga 2009 deri më 2012, duke pretenduar të jetonte jashtë vendit për të shmangur pagimin e taksave izraelite mbi të ardhurat e saj.

Në seancat e hershme, një gjykatë izraelite vendosi që marrëdhënia e saj me DiCaprio nuk mund të përshkruhej si jetë familjare dhe se ajo nuk mund të kërkonte qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara për të shmangur pagimin e shumës së plotë të taksave.

Avokatët e manekines thanë se marrëveshja tregoi se ajo nuk shmangu qëllimisht taksat.

Nëna e saj, e cila është gjithashtu agjentja e saj, akuzohet për mos raportimin e të ardhurave, evazionin fiskal dhe ndihmën e dikujt tjetër për të shmangur pagesën e taksave.