Mandl: Politikanët në Austri dhe BE që mendojnë se Kosova është shtet i dështuar janë pakicë

E publikuar: 17/12/2020 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl s’është pajtuar aspak me kolegun e tij, Harald Vilimsky, i cili para disa ditësh ka thënë se “Kosova është një vend i dështuar dhe mafioz që s’ka vend në BE”.

Mandl në një përgjigje për klankosova.tv tha se mendimet si të Vilimsky janë të pakta, si në politikën austriake ashtu edhe në të BE-së, njofton Klan Kosova.

“Duke pasë parasysh pozicionet e përgjithshme të zyrtarëve të ndryshëm të zgjedhur dhe partive politike në Austri, si dhe në nivelin europian, ky është qartë një pozicion i pakicës”, u shpreh Mandl.

Austriaku, që në Parlamentin Evropian është zë i fuqishëm për Kosovën, ka thënë se deklaratat e këtij lloji nuk mund të dëmtojnë lidhjen miqësore Kosovë-Austri.

“Jo. Kjo deklaratë nuk pasqyron pozicionin zyrtar të Austrisë dhe as atë të BE-së”.

Dialogu i stagnuar Kosovë-Serbi duhet të mbyllet me marrëveshje të suksesshme dhe kjo të bëhet në vitin e ri që po vjen, sipas Mandl. Ai thotë se beson që i Dërguari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka një mision të qartë për të udhëhequr të dy vendet drejt një suksesi.

“Gjithashtu, zyrtarët e të dyja vendeve do të duhet të tregojnë vullnetin e tyre të mirë për një rezultat, i cili do të jetë i orientuar drejt së ardhmes së vërtetë europiane dhe më në fund një skenar i favorshëm për qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Europës. Të them të drejtën këtu nuk ka asnjë arsye për të mos e arritur këtë në vitin 2021. Nga pala kosovare dhe nga një perspektivë afatshkurtër, secili zyrtar duhet të kontribuojë në stabilitetin politik të brendshëm në mënyrë që të jetë i aftë për të vepruar edhe në politikën e jashtme”.

Mandl për klankosova.tv ka deklaruar se po e vazhdon përpjekjen e tij të nisur që një kohë të gjatë që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, sikurse qytetarët e tjerë të rajonit.

“Liberalizimi duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë bëj çmos që të nxis Këshillin në përgjithësi dhe shtetet anëtare të BE-së që po e bllokojnë procesin. Sapo kam paraqitur edhe një herë një amendament – në këtë rast të Raportit zyrtar të Kosovës të Parlamentit Europian – për të nënvizuar vendimin e qartë të Parlamentit Europian në promovimin e Liberalizimit të Vizave dhe nuk kam asnjë dyshim se Parlamenti Europian përsëri do të votojë në favor të kësaj”.

Deklarata e eurodeputetit Vilimsky dhënë për mediat austriake se Kosova është një bastion i kriminelëve dhe terroristëve dhe se për këtë arsye s’duhet të vihet në diskutim anëtarësimi i saj në BE, shkaktoi pakënaqësi edhe në publikun kosovar.