“Mami a do të vdes”, nëna 30 vjeçare rrëfen momentin kur i biri pesë vjeçar u infektua me koronavirus

E publikuar: 26/03/2020 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Askush nuk është i pa prekshëm nga koronavirusi i ri, madje as fëmijët. Një nënë në Britani ka zbuluar se si djali i saj pesë vjeçar, i shëndetshëm, u infektua me koronavirus.

Lauren Fulbrook, 30 vjeçe nga Worcestershire i Britanisë së Madhe, me anë të një serie postimesh në Facebook, ka zbuluar simptomat e para që shfaqi vogëlushi, Alfie.

“Koronavirusi nuk është shaka… Më është dashur të shikoj djalin tim 5-vjeçar të humbasë të gjitha energjitë, madje edhe për të mos lëvizur. Nuk konsumonte asgjë. Temperatura e tij nuk zbriste nën 40 dhe në nivelin më të lartë ishte 42.3 gjë që shkaktoi të vjella”, shkroi Lauren në Facebook.

Lauren zbuloi dhe një moment mjaft prekës. Ndërkohë që Alfie ishte i shtruar në spital, në një moment e pyet: “Mami, a do të vdes” dhe ajo që nuk i përgjigjet pasi ende nuk dinte asgjë për fatin e vogëlushit.

30 vjeçarja i jep fund vargut të postimeve, me një mesazh drejtuar personave që injorojnë këshillat e qeverisë dhe dalin nëpër rrugë në mes të kësaj pandemie globale.

“Ju lutem, nëse dilni qëndroni vetëm për pak kohë, aq sa për të plotësuar nevojat jetike. Sa më shumë të mbani distancimi shoqëror ndaj njëri-tjetrit, aq më shpejt do t’i japim fund kësaj lufte”, u shpreh Lauren.

/Top Channel/