Maloku: Pushteti i dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës, dhunshëm na la jashtë RTP-së

E publikuar: 05/02/2019 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), ka shënuar sot 74-vjetorin e themelimit, ku edhe ky vit i ka gjetur ish-punëtorët jashtë objektit të tyre të punës e të cilët vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

Lirimi i objekteve të RTP-së, kthimi në punë dhe moslejimi i tjetërsimit të pasurisë së RTP-së janë disa nga kërkesat që vazhdojnë t’i kenë ish-punëtorët e RTP-së.

Kryetari i Këshillit Grevist, Qemajl Sokoli, ka thënë se përkundër pasurisë së madhe materiale e krijuese që kap shumën prej 1 miliard eurove ata nuk gëzojnë asgjë. Ai ka pasur kritika edhe për Radio Televizionin e Kosovës, ku e ka quajtur krijesë gjysmëprofesionale që po gllabëron krijimtarinë e tyre.

“Pas çlirimit, në vitin 1999 atëherë kur të gjithë pritnin që të kthehemi aty prej nga me dhunë na përzuri armiku, për të vazhduar aty ku kemi mbetur ndodhi e papritura. Qeveria e përkohshme e Zvarranikut, qindra mijëra punëtorë kosovarë i privoj nga e drejta më elementare njerëzore për t’u kthyer në vendet e veta të punës, për të cilat janë flijuar ndër ta edhe neve të RTP-së. Kurse, tërë pasurinë tonë materiale shpirtërore na e okupuan, po shfrytëzon dhe po e gllabëron krijesa gjysmëprofesionale e quajtur RTK”, tha ai, raporton ksp.

Ai u shpreh se përmes protestave, demonstratave e grevave i kanë kërkuar të drejtat e tyre legjitime, ku ka përmendur grevën prej 11 ditëve të urisë në vitin 2005 që e kanë mbajtur duke kërkuar kthimin në punë, kompensimin për 9 vitet e shkuara, pranimin e përvojës 18 vjeçare, moslejimin e tjetërsimit të pasurisë së RTP-së dhe zgjidhjen e çështjes së punëtorëve me kërkesat sociale.

Me të njëjtat kërkesa edhe në vitin 2008 Këshilli grevist i RTP-së kishin mbajtur grevë prej 40 ditëve, ku edhe këtë grevë e kishin ndërprerë pas nënshkrimit të memorandumit me Qeverinë e Kosovës. por, ai thotë se edhe këtë herë ishin mashtruar.

Për përmbushje të kërkesave të tyre Sokoli u shpreh se po kërkojnë ndihmën edhe të shteteve të Quintit, por sipas tij nuk po ka ndonjë lëvizje.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se që nga viti 2000 janë në proces gjyqësor, përfundimin e të cilit janë duke e pritur. Ndërsa ka njoftuar duke e përgatitur materialin për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut.

“Nuk kemi qasje as në miliona eurosh të parave të grumbulluara nga qiraja e objekteve tona në fondin RTP-AKP. Ndërkaq, në truallin 8 hektar ende të pa privatizuar bri Pallatit të shtypit, klanet mafioze partiake të LDK-së dhe PDK-së kanë ndërtuar NLB Prishtinën e ndërtesa të tjera. Pra, AKP-ja në vend se ta mbrojë pronën tonë ajo është bërë vegël shkatërruese qeveritare kundër nesh. Sa i përket RTK-së okupuese, po tmerrohemi me papërgjegjësinë dhe diletantizmin në sajimin e programit radioteleviziv të nivelit të përçuditshëm. Ajo programin e varfër kulturor po e plotëson me videokasetat, ndërkaq gjatë viti filmat po reprizohen edhe nga 200 herë. Përveç kësaj, duke e keqpërdorur materialin tonë arkivor, pa e cekur as autorësinë individuale e institucionale, çka është krim ndaj së drejtës autoriale po e sajojnë programin e vet gjysmak”, deklaroi ai.

Ai ka pasur një kërkesë ndaj institucioneve shtetërore, siç ka thënë shpëtimin e pasurisë së tyre të tejçmuar arkivore, filmike e muzikore që po shfrytëzohet e shkatërrohet nga të tjerët.

Kurse, redaktori i RTP-së Enver Maloku, ka thënë se pushteti i dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës dhunshëm i ka lënë jashtë RTP-së.

“Okupatori serb dhunshëm na nxori nga vendet tona të punës me 5 korrik 1990, pushteti i dal nga zgjedhjet e para dhunshëm na la jashtë televizionit përkatësisht RTP-së. Është bërë një padrejtësi profesionale, intelektuale, sociale. Ndërkaq aty kanë gjetur vend madje edhe në maje të RTP njerëz që kanë diferencuar, ndërkaq ata që ishin diferencuar kanë mbetur jashtë radiotelevizionit. Dhunshëm u okupuan vendet e punës, dhunshëm u okupua prona e RTP-së, rrjedhimisht edhe tash ka probleme për ta bartur jashtëligjshëm pronën e RTP në RTK. Nëse ndodh kjo bëhet në mënyrë antiligjore, antikushtetuese”, tha ai.

Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945-në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Ish punëtorët e saj që nga viti 2000 po kërkojnë lirimin e pronave të RTP-së, pagesën e ish-punëtorëve dhe punësim të një pjese që kanë mbetur të papunë