Maliqi: Presidenti e kryeministri do të bashkëpunojnë në dialog

E publikuar: 13/11/2019 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkëlzen Maliqi, opinionst, ka thënë se në procesin e dialogut do të ketë bashkëpunim edhe ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit të ardhshëm, që pritet të jetë Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai pret që të ndryshojë formati i bisedimeve, pasi siç thotë këto të deritanishme janë në “vdekje klinike”.

“Formati i bisedimeve gjithsesi do të ndryshojë, ndoshta do ta udhëheqin këta që i kanë funksionet shtetërore dhe përgjegjëse, kryeministri dhe presidenti, njëfarë dore edhe ai [presidenti] i ka përgjegjësitë e veta. Do të bashkëpunojnë në nivele të ndryshme me ambasadorin Richard Grenell dhe Matthew Palmerin. Nëse ata donë që të përshpejtohet procesi, do të jetë njëfarë diplomacie fluturuese, siç thonë ata”, ka thënë Maliqi në Rubikon.

Maliqi ka thënë se nuk e përjashton që në këtë proces të ndodhë, siç tha ai, diçka e ngjashme si procesi i Rambujesë dhe i Dejtonit.

“Nëse bëhet Rambujeja apo diçka tjetër, do të jetë një faktor tjetër që neve s’na pëlqen, Rusia. Por, Rusia mund të jetë nëse ata dakordohen mes veti, SHBA-ja dhe Rusia… është e komplikuar, jo shumë e besueshme se do të realizohet, nuk e di se me çka mund ta kushtëzojnë Serbinë në këto rrethana, por mirë është që ne të marrim pjesë në proces”, shprehet Maliqi. “Nuk duhet që ne ta bllokojmë procesin siç provoi ish-kryeministri Haradinaj me taksën”.

Sipas tij shkëmbimi i territoreve s’do të ndodhë.

“Shkëmbimi i territoreve është përjashtuar. Modeli teorik është kështu – dy shtete sovrane mund të merren vesh se si do të rregullojnë kufirin. Por, në këtë rast ne të marrim një pjesë e Serbia me e marrë veriun e destabilizon rajonin dhe nuk po përkrahet nga askush”, u shpreh ai.

Tutje Maliqi ka shtuar se ka shenja që Trumpi e Putini duan përmirësimin e raporteve SHBA-Rusi e një gjë e tillë mund të ndikojë edhe në përfundimin e procesit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse ka diçka në këtë nismë të Trumpit dhe SHBA-së është që mund të ketë një dakordim ndërmjet Trumpit dhe Putinit që edhe Rusisë t’i bëhen disa koncesione, t’ia heqin sanksionet. Nëse ata dakordohen në vija të trasha që t’i përmirësojnë raportet. Këto janë disa shenja që procesi (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) mund të ketë një përfundim”, u shpreh ai.

Më tutje Maliqi ka folur edhe për rastin e 30 vjetorit të rrëzimi të murit të Berlinit, gjersa shton se kapitalizmi ka sjell pasoja të rënda për njerëzimin.

“Rënia e komunizmit ka qenë një shpresë për gjysmën e Evropës dhe të Azisë. Konteksti tani është krejtësisht tjetër, më nuk është problem komunizmi sa është ky model i kapitalizmit që ka sjell deri te pasojat më të rënda në shfrytëzimin e resurseve natyrore e sipas shkencëtarëve po rrezikohet tani edhe vet njerëzimi”, ka thënë Maliqi.