Mali: Kemi marrë letrën më të keqe në Shtëpinë e Bardhë, po kërkojnë njohjen e Kosovës

E publikuar: 03/09/2020 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, deklaroi sot se kishte një letër në tryezë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, një pikë e së cilës nënkupton njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës, dhe `se ekziston një presion i madh ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Ne kurrë nuk kemi marrë një letër më të keqe që kur filluan negociatat me Prishtinën. Kishte 16 pika në letër, në tryezë, nga të cilat 10 pika nënkuptojnë njohje të ndërsjellë,” u tha Mali gazetarëve, raporton agjencia Tanjug.

“Ekziston një presion i madh, këto janë tema shumë të vështira për ne. Presidenti Aleksandar Vuçiq po lufton dhe ne do të shohim nëse ai do të durojë … Unë do të kthehem në bisedime, do të vazhdojmë, do të luftojmë deri në fund dhe, siç tha presidenti, dorëzimi nuk është “, u tha Mali gazetarëve gjatë një pauze në bisedimet në Uashington.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbërritën sot në Shtëpinë e Bardhë, ku filluan bisedimet dy-ditore midis dy shteteve.

Pritësit e takimit në Shtëpinë e Bardhë janë i dërguari special i presidentit amerikan për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Robert O’Brien.

Para takimit, Grenell tha në Twitter se njerëzit në Kosovë dhe Serbi meritojnë normalizimin ekonomik dhe një shans për progres ekonomik dhe se politika duhet të lihet mënjanë.