Mali i Zi konfirmon dy rastet e para me koronavirus

E publikuar: 17/03/2020 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mali i Zi ka shënuar dy rastet e para me koronavirus, të marten mbrëma.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, gjatë një konference shtypi ka bërë të ditur se pozitive për COVID-19 kanë dalur dy gra.

“Laboratoret e Institutit malazez për Shëndet Publik, kanë konfirmuar të marten rastet e para të infektimit me koronavirus në Mal të Zi. Pacientet janë të gjinisë femërore – të lindura më 1948 dhe 1973 dhe të dyja kanë qenë para pak kohësh në rajone të prekura nga epidemia”, ka thënë Markoviq, duke shtuar se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Markoviq ka shtuar se shteti i tij prej këtij momenti e nis një fazë të re në përballjen me këtë sfidë shëndetësore dhe shoqërore.

“Megjithatë, nuk ka vend për panik”, ka thënë ai.

Mali i Zi, deri më tani ka qenë shteti i vetëm në Evropë pa raste të koronavirusit.