Malala viziton atdheun e saj, Pakistanin

E publikuar: 29/03/2018 16:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fituesja e çmimit Nobel Malala Yousafzai, u kthye të enjten në vendin e saj të lindjes Pakistan, rreth gjashtë vjet pasi u qëllua nga militantët islamikë për shkak të mbrotjes që i bënte të drejtës së vajzave për arsimim.

Aktivistja 20-vjeçare për çështjet e arsimit me u takua në Islamabad me kryeministrin Shahid Khaqan Abbasi.

Në një fjalim emocional të transmetuar drejtpërdrejt në media, Malala Yousafzai tha se kishte ëndërruar të kthehej në Pakistan dhe të vendoste këmbën në tokën e saj të lindjes.

Në tetorin e vitit 2012, Malala po kthehej nga shkolla për në shtëpi kur persona të maskuar dhe të armatosur e qëlluan në kokë, ndërsa ndodhej në autobuzin e shkollës.

Ajo pësoi disa dëmtime të kafkës dhe u dërgua në Britani për t’u operuar.

Grupi i jashtëligjshëm i talebanëve pakistanezë mori përgjegjësinë për sulmit dhe njoftoi se do ta sulmojë përsëri. Grupi e akuzoi Malalën për nxitje të kulturës perëndimore.

Që nga ajo kohë Malala jeton në Britani. Ajo ndoqi studimet në universitetin e Oksfordit dhe është bashkë-themeluese e fondit Malala që ndihmon vajzat të marrin arsim e mesëm në vendet e goditura nga konflikti, përfshirë Sirinë, Kenian, Nigerinë, Jordaninë dhe Pakistanin.