Majko: Nëse negociatat kushtëzohen me kampe refugjatësh, më mirë të mos ketë ftesë nga BE

E publikuar: 20/06/2018 17:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar rreth lajmeve të ndryshme për ngritjen e kampeve për refugjatët në Shqipëri, ku do të strehoheshin mbi 600 mijë të tillë.

E teksa e përshkruan këtë lajm si jo të vërtetë e si panik që përhapet nga mediat, Majko shton se Bashara al Assad dhe aleatët e tij po i përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”. Qëllimi i të cilëve sipas tij është shkatërrimi i strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë.

Majko ka shkuar më tej teksa ka mohuar edhe kushtëzimin për hapjen e negociatave me BE-në me ngritjen e kampeve për refugjatët, duek theksuar se një ftesë e tillë më mirë do të ishte të mos vinte fare, pasi së pari do të ishte jo evropiane, e së dyti Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së tij sociale.

“Nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane. Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë”, shkruan Majko./Top Channel