Magjia e qiellit, nesër të gjithë me sytë lart…

E publikuar: 19/03/2015 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jemi apo jo supersticiozë, të pasionuar apo jo pas astronomisë, nesër do ta kemi të pamundur të mos tundohemi për t’i hedhur sytë nga qielli gjatë paradites.

Eklipsi i Diellit, një fenomen astronomik jo i pazakontë, është parashikuar të ndodhë pikërisht ditën e premte. Ai do të jetë një eklips i plotë i yllit të vetëm në sistemin tonë, megjithatë mbulimi i Diellit nga hija e Tokës, në Shqipëri dhe Evropë do të shihet pjesërisht.

Nëse do të kemi fat me motin nesër, nga Prishtina eklipsi do të shihet duke zënë vetëm gjysmën e Diellit…

Megjithatë, edhe pse një dukuri normale, ngjarja astronomike ka ngjallur kureshtje të madhe te njerëzit. Së pari, sepse disa shkencëtarë thonë se, ekspozimi i syrit të lirë gjatë kohës së zhvillimit të eklipsit mbi objekt është e rrezikshme. Ndaj, këshillohet që ai të mos shikohet me sy të lirë për një kohë të gjatë, pa mjete mbrojtëse.

E nga ana tjetër, larg komenteve dhe këshillave shkencore, profecitë anembanë botës kanë rikthyer edhe njëherë për njerëzit frikërat mbi teorinë e fundit të botës. Pastori Mark Blitz ka deklaruar se eklipsi diellor i kësaj të premteje mund të shënojë fillimin e ditës se gjykimit.

Kësaj deklarate, ai i shton edhe argumentin se dy javë pas eklipsit do të zhvillohet fenomeni i eklipsit hënor, çka është pjesë e tetradës së hënave të përgjakta. Dhe shumë persona, ashtu sikurse pastori Blitz, i kanë lidhur këto ngjarje kozmike me paralajmërimin për fundin e botës.

Gjithashtu, këtyre koincidencave u shtohet edhe ngjarja e ekuinoksit të pranverës, në datën 21 mars, një përkim i rrallë që ndodh një herë në 100,000 vjet. Dhe, sipas Blitz, kjo tregon se Evropa do të përfshihet nga trazira të shumta.

Pas gjithë këtyre dukurive astronomike, më 13 shtator të këtij viti do të ndodhë edhe një tjetër eklips diellor, por këtë herë i pjesshëm, i cili do të pasohet nga hëna e katërt e përgjaktë, e cila do të zhvillohet më 28 shtator, duke mbyllur kështu tetradën e hënave të kuqe.

A do të vërtetohen profecitë e frikshme të përfolura deri më tani me përfundimin e kësaj tetrade? Tashmë që jemi në gjysmën e kohës së ciklit të tyre, ju mund ta gjykoni vetë nëse ndonjë gjë e jashtëzakonshme ka filluar të ndodhë…