LVV-PDK, debat se kush i financon partitë

E publikuar: 12/10/2020 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e dy partive opozitare Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike janë përplasur rreth asaj se cilën parti e financon kompanitë e Devollëve. Derisa në partinë e Kadri Veselit akuzuan Vetëvendosjen se financohen nga Devollët, nga kjo e fundit thanë se është dëshmuar se kur “iu thahet fyti PDK-së” nga i marrin të hollat.

Në shqyrtimin e Projektligjit për Automjetet ku po diskutohet heqja e homologimit për veturat nga jashtë, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se qëllimi i tij është vetëm të dërgojnë një lëndë të re në arbitrazh për t’i humbur vendi miliona euro të tjera.

Ai në seancën e sotme plenare tha se nga ish-deputetë të LVV-së është dëshmuar se kjo e fundit financohet nga Devollët.

“Nëse për një parti politike është e dokumentuar që financohet nga Devollët, atë e ka thënë vet ish deputeti i LVV-së, Florin Krasniqi. Këtë rast LVV-ja dhe Albin Kurti janë një subjekt politik të cilët financohen nga Devollët. Ajo çka po shohim këtu që po më shqetëson është qasja e qeverisë sepse moskthimi i mendimit nga qeveria, ku po shoh një tendencë të përbashkët të LVV-së dhe qeverisë për të dërguar një lëndë në arbitrazh ndërkombëtar. Qysh i kanë zhvatë 30 milionë euro me Z Moblie me Devollët me bërë të njëjtën me homologimin. Ato 30 milionë euro që do të zhvaten prej buxhetit të Kosovës janë taksa të Kosovës. Pra kjo nuk është asgjë më shumë se një iniciativë që do të përfundojë në arbitrazh”, tha ai.

E në reagimin e tij, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi tha se dihet qartë cilën parti e financojnë Devollët

“Abelard nuk e kam ndërmend për të replikuar gjatë, vetëm po të kujtoj kujt iu pat tharë fyti si parti politike. A të kujtohen se nuk të beson askush me konstruktu këtë relacion. Koncentrohuni në temë, për çka jeni ftuar, ne kemi çka ju rikujtojmë, e njëra prej tyre është kjo e fytit, dhe jo e vetme”, tha ai. /E.Zeqiri