LVV: Ftesat për takime të tilla, vetëm për t’ia dhënë Thaçit fuqinë që nuk e ka

E publikuar: 22/12/2018 14:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfundimisht dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për të diskutuar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Veseli pos këtyre dy subjekteve tashmë ka ftuar edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ekipin negociator që të mërkurën e javës që vjen të ulen bashkërisht dhe të bisedojnë rreth procesit të negociatave me Serbinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për këtë çështje, zëdhënësja e LVV-së, Tinka Kurti, ka njoftuar se ky subjekt nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur për të mërkurën nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. “Ne nuk kemi marrë  pjesë as më parë në tryezat e tilla të thirrura për legjitimimin e Thaçit në dialogun me Serbinë. Ftesat për takime të tilla janë vetëm për t’ia dhënë Thaçit fuqinë dhe përkrahjen të cilën ai nuk e ka realisht as nga populli e as nga subjektet politike”, ka deklaruar ajo në një prononcim për “Zërin”.

Ndërkaq, ekipi negociator, i cili tashmë është miratuar në Kuvend me votat e partive të koalicionit qeverisës dhe të PSD-së, sipas Kurtit nuk përfaqëson unifikim në procesin e dialogut. “Shoqëruesit e Thaçit, të gjithë prej listave të partive të vogla që as nuk e kalojnë pragun, po i ofrojnë atij thjesht asistencë në dialog. Ata janë zgjedhur me vetëm 59 vota, andaj nuk përfaqësojnë një zë të unifikuar për dialog dhe përkrahja e Thaçit nuk është motiv i mjaftueshëm për t’u nisur në negociata. Ky është vetëm nënshtrim i këtij grupi ndaj një njeriu”, ka potencuar ajo./ZËRI