Lutja e tmerrshme e ekstremistit islamik që merr social nga Zvicra: O Allah, zhduki të krishterët!

E publikuar: 23/08/2017 09:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Imami Abu Ramadan nga qyteti i Bielit lutet për zhdukjen e të krishterëve, por atij i pëlqen të jetojë në Zvicër qe 20 vjet. Nga shteti zviceran ai si rast social ka marrë 600 mijë franga.

Abu Ramadan është njëfarë Shefqet Krasniqi i Zvicrës – vetëm se më primitiv, më agresiv, më urrejtjenxitës se «homologu» i tij nga Prishtina. Abu Ramadan lutet: «O Allah, të lutem ty, t’i zhdukësh armiqtë e fesë sonë, zhduki hebrenjtë, të krishterët dhe hindusët dhe rusët dhe shi-itët. Zot, të lutem ty, t’i zhdukësh të gjithë ata dhe islamit t’ia kthesh lavdinë e dikurshme».

Këto fjalë janë pjesë e një predikimi të imamit Abu Ramadan, të cilin e ka mbajtur në xhaminë Ar’Rahman në qytetin e Bielit afër Bernës, ka bërë të ditur gazeta «Tages Anzeiger» në numrin e së mërkurës.

Ndërsa Shefqet Krasniqi llomotiste se për Nënë Terezën nuk ka vend në parajsë, sepse, sipas tij, aty mund të dëfrehen vetëm anëtarët e ymetit mysliman, Abu Ramadan bën thirrje për zhdukjen e të gjithë «jobesimtarëve».

Abu Ramadan jeton në Zvicër si refugjat që nga viti 1998. Atëbotë ai kishte ikur nga Libia, ku ndihej i shtypur nga diktatorit Muamar al-Gadafi, shkruan dialogplus. Në të vërtetë Abu Ramadan nuk është imam i arsimuar, ai me profesion është agronom, por përkrahësit e tij e quajnë «sheik», një titull nderi në botën arabe. Ndonëse jeton prej gati 20 vjetësh në Zvicër Abu Ramadan pothuaj nuk flet gjermanisht apo frëngjisht.

Ai tashmë ka një leje qëndrimi në Zvicër. Abu Ramadan njihet me Nicolas Blancho, president i të ashtuquajturit Këshill Qendror Islamik (IZRS), një çerdhe e vahabistëve të Zvicrës, ku rol prominentë luajnë edhe disa shqitparë. Shefqet Krasniqi ka qenë disa herë mysafir i Këshillit Qendror Islamik në Zvicër për të përhapur broçkullat e tij kuazifetare.

Si Krasniqi edhe Abu Ramadan ka marrë pjesë në aktivitete të Këshillit Qendror Islamik. Ndonëse Abu Ramadan i mallkon të krishterët, ai me qejf jeton në Zvicër, një vend të banuar me krishterë, madje edhe me flamur me kryq. Dhe ka një arsye përse: Abu Ramadanit i pëlqen Zvicra se mes viteve 2004 dhe 2017 ai ka marrë ndihma sociale deri në 600 mijë franga ose 527 mijë euro. Prej disa muajsh,  Abu Ramadan jeton si pensionist, natyrisht me para të taksapaguesve zviceranë.