Lutja e deputetit të AAK-së: Mos na izoloni, nëse ka gabime do të korrigjohen

E publikuar: 22/02/2018 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës, Gani Dreshaj ka thënë se është momenti më i mirë që çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi të përfundoi tani. Sipas Dreshajt, marrëveshja e fundit me Malin e Zi do të korrigjoi gabimet eventuale nëse janë bërë nga komisioni.

Madje ai i ka bërë lutje të gjithë deputetëve që të votojnë këtë projektligj ngase sipas tij po izolohen prindërit tanë, motrat, vëllezërit, studentët, të sëmurët e profesionistët.

“Si deputet i Kuvendit të Kosovës kam qenë dhe jam kundër votimit të çdo projektligji që dëmton njësinë territoriale të Kosovës.

Por, marrëveshja e fundit me Malin e Zi jep shumë shpresë për zgjidhjen e këtij kontesti përfundimisht duke qenë i bindur se do të ketë korrigjime në gabimet eventuale paraprake që janë bërë.

Shpreh besimin më të madh në kryeministrin Haradinaj që po zgjedhë rrugën e duhur për t’i dhënë fund kësaj çështje e cila po ndikon direkt në izolimin e popullit të Kosovës.

Lus të gjithë deputetët që mos të shikojnë interesin personal, as partiak, por të mendojnë si kurrë më shumë për qytetarët sepse sot jemi deputetë me votën e tyre.

Mos izoloni prindërit tanë, motrat, vëllezërit, studentët, të sëmurët, profesionistët, mos e izoloni shtetin” shkruan Dreshaj në Facebook./Indeksonline/