Luta kërcënon të gjithë ata që po i vijnë në Gjilan me u promovua në projektet e tija!

E publikuar: 07/08/2019 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta ka thënë se projektet që po realizohen në komunën e Gjilanit janë projekte nga programi i tij qeverisës dhe sipas tij, është neveritëse, ardhja e qeveritarëve, ministrave, zëvendësministrave, deputetëve… gjoja për t’i promovuar ato. Ai shtoi se është fushatë e tyre, por që po dalin qesharak dhe nga sot e tutje, do të demantohen sa herë që do të mundohen të bëjnë veprime të tilla, të bëjnë pra politikë.

Haziri tha se e ka vërejtur se disa po e bëjnë një gjë të tillë, por e ka marrë me dashamirësi deri më tani, por me që po hyjmë në një proces zgjedhor ai tha se i duhet të sqarohet.

I pari i komunës së Gjilanit tha se projektet madhore që sot i ka Gjilani, prej autostradës Prishtinë – Konçul, e deri te ndërtimi i infrastrukturës së fshatrave model, që i kanë zgjedhë, janë pjesë e programit qeverisës që ai e ka paraqitur para qytetarëve të komunë së Gjilanit, transmeton 2LONLINE.

Ai tha se edhe sa i përket mjeteve, së bashku me kolegët, e tij, si kryetar i komunës ka arritur me i organizua, me i menaxhua edhe në Qeveri, edhe në Bankën Evropiane për Zhvillim, Bankën Investive Evropiane, Qeverinë Amerikane, Qeveritë e shteteve të mëdha.

Haziri tha se: “e di që edhe më tutje, disa funksionarë, ministra, zëvendësministra, deputetë…, do t’ia mësyjnë drejtë Gjilanit për ta promovuar vetën e tyre mbi punën tonë mbi djersën tonë, mbi angazhimin tonë, për t’u munduar me dëshmua për veten e tyre diçka që nuk është e vërtetë”, por se tani ka një porosi për ta.

“Prej sot, këdo që e gjejë në punët e komunës, kam me ia demantua publikisht dhe kam me kërkua që mos me shkelë mbi djersën e njerëzve, qytetarëve të Gjilanit, sepse ato janë projekte komunitare”, ka thënë Lutfi Haziri, transmeton 2LONLINE.

Ai shtoi se shembujt si Përlepnica, Cërnica apo impianti i ujërave të zeza, janë programe që Komuna e Gjilanit i ka fitua me angazhim katërvjeçar, janë programe të mëdha sistemore që nuk janë bërë për 2 muaj, a një vit… dhe janë bërë duke dashtë me arrit me i zgjidh problemet e Gjilanit.