Lushtaku: Haki Abazi në Kopaonik është takuar me njerëz të BIA-s, prokuroria të ftojë presidentin për dëshmi

E publikuar: 11/06/2020 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ftojë presidentin, Hashim Thaçi, për të dëshmuar dhe për të dhënë më shumë detaje për takimin në Kopaonik që sipas tij ka ndodhur mes ish-zëvëndëskryeministrit,Haki Abazi, dhe njerëzve të shërbimit sekret të Serbisë (BIA), raporton Gazeta Express.

“Dua të ngris një çështje për lidhjen e ish qeverisë Kurti me njerëz të BIA-s. Kjo ka të bëjë me zëvëndëskryeministrin Haki Abazi”, ka thënë Lushtaku në seancë.

“Bëj thirrje që prokuroria të ftojë presidentin Hashim Thaçi për të dhënë më shumë detaje për takimin e Haki Abazit me njerëzit e BIA-s në Kopaonik”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka thënë se Haki Abazi duhet të tregojë se sa e ka blerë dhe me çfarë para e ka paguar pozitën e zv.kryeministrit nga Kurti.

“Sa i ka kushtuar Haki Abazit blerja e postit nga Albin Kurti.  Me cilat para e kishte blerë atë në zyrën e kryeministrit”, ka thënë deputeti i PDK-së.

 Deputeti Lushtaku gjithashtu ka thënë se Haki Abazi bashkë me shefin e stafit të Kurtit sa ka qenë kryeministër janë takuar me përfaqësuesin e zyrës së Marko Gjuriqit, Dejan Paviçeviq./GazetaExpress/