Lunaçek kërkon formimin e shpejt të qeverisë në frymën evropiane

E publikuar: 12/06/2017 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Lunaçek u ka kërkuar partive politike në Kosovës që sa më shpejtë të formojnë qeverinë e re në frymën evropiane.

“Urime qytetarëve të Kosovës dhe partive politike për funksionimin dhe organizimin e mirë të zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë i suksesshëm në organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë të shkurtër kohore. Ne jemi të kënaqur që procesi u zhvillua në një atmosferë të qetë. E inkurajoj vazhdimin e zhvillimit demokratik të Kosovës”, ka thënë Lunaçek, transmeton Telegrafi.

Ajo ka shtuar se ka mirëpritur pjesëmarrjen e komunitetit serb të Kosovës në këto zgjedhje, si një shenjë pozitive e angazhimit të tyre me institucionet e vendit.

“Puna për të mirën e vendit dhe qytetarët e saj duhet të fillojë përsëri. Prandaj u bëjë thirrje partive politike të Kosovës që sa më shpejt të formojnë një qeveri për të trajtuar sfidat e ndryshme dhe për të vazhduar rrugën e Kosovës drejt BE-së”, është shprehur Lunaçek.

Lunaçek ka pasur edhe një porosi për qeverinë e re duke thënë se ajo “duhet të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe sociale, si dhe të punojë më shumë në arsim dhe shëndetësi”, duke shtuar se kjo është ajo që qytetarët dhe miqtë e Kosovës në BE duan për qytetarët e Kosovës.

Raportuesja e Parlamentit Evropian, ka thënë se Kosova duhet që shumë shpejt t’i përmbushë dy kërkesat e saj për liberalizimin e vizave si dhe të bëjë ratifikimin e Demarkacionit.

“Këtë javë Parlamenti Evropian do të miratojë raportin tim mbi progresin e Kosovës drejt BE-së. Kjo votë edhe një herë do të dërgojë një sinjal të fortë se e ardhmja e Kosovës së pavarur është në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo. /Telegrafi/