Lunacek: Jam e sigurt se PE do ta japë dritën jeshile për viza në vjeshtë

E publikuar: 19/07/2018 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek ka thënë se është shumë e gëzuar me lajmin se Kosova ka marr rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Lunacek ka shkruar se është e sigurt që në vjeshtë të këtij viti Parlamenti Evropian do ta japë dritën jeshile për heqjen e vizave.
“Ky është një lajm i mirë! Faleminderit Avramopoulos jam e sigurt që Parlamenti Evropian do ta japë dritën jeshile në vjeshtë. Shpresoj se edhe Ministria e Brendshme do ta bëjë të njëjtën gjë para vitit 2018!”, ka shkruar Lunacek.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirshme, transmeton Lajmi.net.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Avramopoulos ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për viza. Tashmë gjithçka është në duar të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian”, ka thënë Avramopoulos.