Lumturia në botën e rrenave

E publikuar: 13/01/2018 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrena dhe e vërteta janë kategori shoqërore.  E pavërteta,  ndryshe thënë rrena-gënjeshtra, cilësohet nga antropolugu Carole McGranahan si fabrikim dhe interpretim, formë e manipulimit dhe mashtrimit të qëllimshëm. Rrenat mund të jenë publike dhe jopublike. Në kontekst publik, rrenat politike janë akte, të cilat krijojnë realitete të reja, përmes të cilave faktet kontradiktore, sfiduese si refleksione të të vërtetave, eleminohen për t’ mos u parë e dëgjuar nga tjetri apo të tjerët. Parë antropologjikisht, me rrejtë është mjeshtri (ndërtim) dhe po kështu edhe në një kontekst, e pranuar kulturalisht dhe dukshëm e miratuar nga shoqëria. Kur ka më shumë rrenë të pranuar, të pakontestueshme, lumturia është më e madhe.

Në jetën publike në Kosovë rrena është pranuar me status koekzistent. Është një lloj këndësie, ushqim atraktiv publik. Njësoj sikur që njeriu jeton me një të keqe të cilën e di se është e dëmshme, por i jep shije lehtësuese dhe kuptim jetës së tij. Ta zëmë, duhani a çaji. Në këtë sens, llojet dhe strukturat e rrenave, ambientet sociale i bëjnë autentike dhe gazmore dhe mbi të gjitha, qesharake. Rrena prodhon rrenën dhe kjo kulturë për ta konsumuar këtë prodhim si të domosdoshëm, nuk i bënë kurajoz, madje individët  e grupet i demotivon për të kërkuar atë që u duhet: të vërtetën e humbur.

Në ambientet ku rrena e fiton të drejtën qytetare (publike) nuk ka edhe gjithaq nevojë për të vërtetën. Humbja dhe fitimi nga të përdorurit e saj janë të përbashkëta. Natyrisht për “punëtorët” që i prodhojnë ato kreativitete vlen vetëm fitimi. Humbësi është qytetari, i cili jeton në ishullin e të vërtetave, të cilat realisht, nuk janë funksionale dhe vetë qenia e tyre pasive, prodhon jo pak probleme. Pasi, praktikat ligjore dhe etike edhe ato dukshëm janë të përfshira nga kandrra e rrenës. E njohur, pikërisht për të neutralizuar rrenën, është ndërtuar ligji dhe sistemi ligjor, gjithë ky sistem do të duhej të  bëhej si një pengesë e shkëmbimit të të pavërtetave me të vërtetat. Nëse ligji shmanget, atëherë kemi të bëjmë me deekuilibrimin e sistemit dhe ai mund të jetë burim fatkeqësish, mbasi ndërtohet jo mbi lirinë dhe barazinë e qytetarit, por të pushtetit të pakufizuar të individit të plotfuqishëm që përdorë rrenën si mjet force.

Në një formë paradoksi, qytetari jeton në botën joreale, në të cilën të vërtetat nuk kanë pse dhe as nuk mund të përdoren. Nëse përdoren ato sjellin telashe të panjohura dhe të pakufishme, veçmas për individët dhe grupet që i thonë dhe duan t’i shndërrojnë në vlerë publike.

Të jetuarit në një botë ku të pavërtetat janë dominuese dhe të vërtetat minore, atë ambient shoqëror e bënë pjesë të kulturës sarkastike dhe po njëherësh, edhe gazmore e tragjike. Edhe proto- elitat (intelektuale dhe politike) si prodhuese dhe qytetarët si konsumes të rrenave, bashkërisht  jetojnë në hapësirë të përkohshme sa reale, po aq edhe virtuale. Ky realitet dhe virtualitet mund të tejzgjatet me dhjetëra e dhjetëra vjet. Shoqëria normalizohet duke jetuar në botën e të pavërtetave. Prandaj edhe reagimet “jo normale” shpërthejnë vetëm kur preket komoditeti i botës së rrenës dhe jo kur rrena është e pushtetshme. Kështu, të vërtetat janë të sanksionuara për të mos u pranuar, anipse në shoqëritë pluraliste, ato edhe mund të thuhen. Gjithë investimi “kulturor” pikësohet  edhe kur e vërteta del sheshit, ajo të mos pranohet, madje theksuesit e saj, të sanksionohen apo edhe në rastin më atraktiv, të shpallen të çmendur apo të paguar nga “qarqe të errëta”. Kjo luftë e paracaktuar për fitoren e rrenës, ky eskalim i deformimit publik, ndikon që edhe qytetari, kjo viktimë e madhe, të frikësohet nga të vërtetat që  dalin apo mund të dalin, për arsye të problemeve dhe përmbytjeve që prodhojnë në skemën  inferiore publike. Frika e qytetarit është se prapë, edhe në rast, kur rrena ishte sovrane, edhe kur fillojnë të vërtetat ta mundin atë, viktimë do të jetë pikërisht ai dhe vetëm ai.  

Nuk duhet harruar edhe një aspekt tjetër, afeksionin e gjerë nga të pavërtetat. Georg Simmel po në këtë temë, shkruan se rrenat afektojnë aftësitë e njerëzve për të bashkëvepruar. Të gjitha marrëdhëniet mes njerëzve mbështeten në parakushtin që ata dinë diçka për njëri-tjetrin. Sipas Simmel këto marrëdhënie dhe jeta po kështu, varen nga besimi në nderin e tjetrit e që e bënë rrenën të pranohet në nivel institucional si një çështje shumë e rëndësishme për marrëdhëniet shoqërore në shtetin modern. Pra, rrena është një e mirë shoqërore, e mirëmabajtur kujdesshëm ndikuar nga marrëdhëniet komplekse të shoqërisë, në të cilën askush nuk do të jetë humbës. Për të qenë gjithmonë fitues nuk mjaftojnë vetëm të vërtetat. Dhe në këtë rast, do parafrazuar Hannah Arendt, rrenat kurrë nuk janë neutrale, janë ftesë për veprim për shkak se ato thirren në emër të të vërtetës. Bashkëveprimi i njerëzve kështu  mund të ndërtohet përmes të pavërtetave, duke u thirrur në të vërteta të plota.

Muajve të fundit diskutimi për rrenën është bërë më atraktiv dhe më shumështresor. Një pyetje sikur duket më e shpeshtë: A është kjo tash një periudhë e artë për rrenën?  Kritikuesit që flasin për Mbretëreshën e Pakontestueshme- Rrenën, gishtin drejtojnë kah mediet, veçmas ato online. Sado me seriozitet dhe shqetësim, duket se ky gisht nuk është duke u drejtuar në pikën e duhur. Pasi rrena ka ekzistuar gjithmonë dhe ajo ka pasur një mjet të fortë identitar: lajmin, informatën si thashetheme. Akuzuesit e medies gishtin e tyre drejtojnë edhe nga teknologjia informative, posaçërisht ato që kanë ridimensionuar komunikimin publik përmes rrjeteve sociale. Thënë thjesht: rrenën nuk e zbuluan dhe as nuk e krijuan mediet. Rrena ishte gjithmonë bashkë me të vërtetën, jo rrallë edhe shumë më e fuqishme se e vërteta. Por ajo ishte më pak publike dhe asnjëherë me legjitimitet të pranuar, sikur që nuk është as sot, jetonte ngado nëpër hapësira disperzive . Nuk e kishte homogjenitetin, uniformitetin dhe shtrirjen  që e ka sot, pikërisht në saje të teknologjive informative.

Mori fund gazetaria, ankohen ngado recepientët tradicionalë, ata që nuk e pranojnë  lajmin, i cili nuk respekton “ normat dhe standardet  etike dhe profesionale”. Arsyetohen se tashmë secili shfrytëzues i internetit në një hapësirë publike apo gjysmë-publike mund të plasojë prodhime mediale: shkrimore,  vizuale a tonike. Mund të plasojë të pavërteta dhe të vërteta. Gjithsecili  është një medie prodhues lajmi. Interneti dha këtë mundësi, ashtu si e thotë komunikologu Carsten Reinemann: sot një lajm bëhet lehtë dhe në mënyrë subtile. Një kësi lajmi, ndryshe i njohur globalisht si Fake News, edhe mund të jetë kërcënim për të vërtetën. Por, nuk duhet harruar se në tregun medial aq më stimulues bëhet ky lloj lajmi kur klikimi i tij sjell më shumë para, fitim. Njeriu pothuaj asnjëherë nuk ka zgjedhur shumë mjete dhe mënyra për të ardhur më shpejt dhe më lehtë tek fitimi. Në një ekonomi tregu edhe informativ, secili klikim në web-faqe është  burim fitimi, është pjesë edhe e industrisë së reklamës.

Ankesat prapë nuk ndalojnë: po fitohet prej rrenës. Por, e vërteta, gjithmonë rrena ka qenë një burim i madh fitimi. Shih, e kaluara: e pavërteta për politikat zyrtare, edhe për medien zyrtare, lajmi i rremë, qe një nga burimet solide  propaganduese. Propaganda mbështetej në rrenë, por sillte përfitime të mëdha për të informuar “drejt popullin”. Por, ndryshimi është i madh se tani, pra edhe në shoqërinë e Kosovës, kemi të bëjmë me demokratizimin e rrenës. Formati zyrtar i rrenës shtetërore në komunizëm, monolitimi dhe pozicionimi ekstrem për një të pavërtetë,  nuk ka lënë aspak hapësirë për mosbesim. Pluralizmi politik dhe kulturor që ndodh këto vitet e fundit, sikundër kudo, edhe në shoqërinë e Kosovës, pasuroi hapësirën publike me pluralizëm rrenash, por edhe pluralizëm mosbesimesh për to. Askush askend nuk e dertyron për të besuar se ajo që është thënë duhet pranuar plotësisht si e qenë. Mbase ky është një lehtësim kur jetojmë në një botë, në të cilën lumturia nuk buron nga të vërtetat, por nga të pavërtetat publike që thuhen.

Ky shkrim është shkruan enkas për portalin Gazeta Express.