Lumezi: Prokuroria po e lufton korrupsionin, akuzat ndaj nesh ‘retorikë e forumeve’

E publikuar: 24/12/2018 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për dallim nga ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Connell që është ndier i turpëruar nga rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi po ndihet krenar në atë çka institucioni që e udhëheqë ai e quan sukses në luftën kundër korrupsionit.

Kjo erdhi pas raportimit të kryetarit të komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik për luftimin e korrupsionit, Haxhi Dërguti.

“Rezultatet e punës tonë flasin se akuzat ndaj Prokurorisë së Shtetit janë retorikë e forumeve të ndryshme”, ka thënë Lumezi në mbledhjen e KPK-së.

Ai e ka përmendur edhe një fakt që sipas tij dëshmon përkushtimin e tyre për ta luftuar korrupsionin.

“Një pjesë e madhe e kallëzimeve penale janë nga qytetarët. Kjo e dëshmon se është duke u rritur besueshmëria në Prokurorinë e Shtetit. Qytetarët janë aleatet tonë” , ka thënë ai.

Lumezi po i gëzohet edhe faktit që mbi 49 për qind e kallëzimeve penale nga Policia e Kosovës që procedohen në PSh hedhen poshtë.

“Jam krenarë me prokuroret për këtë për shkak se kjo dëshmon që prokuroret nuk ngrisin aktakuza pa fakte”, ka thënë ai./Express/