Lumezi priti në takim ambasadorin zviceran, vlerësohet bashkëpunimi i deritanishëm

E publikuar: 30/09/2020 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim njoftues Ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Sipas komunikatës nga Prokuroria e Shtetit, fillimisht Lumezi i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Kolly në misionin e ri diplomatik, si dhe e ka njoftuar atë me funksionimin, punën, të arriturat dhe sfidat e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në këtë takim ishte edhe vazhdimi i partneritetit në projektet e përbashkëta ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, me theks të veçantë ai Kundër Korrupsionit në Kosovë i njohur si SAEK-III, si dhe avancimi i bashkëpunimit ndër-institucional në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, është vlerësuar bashkëpunimi i shkëlqyer që ka pasur dhe vazhdon të këtë Prokurori i Shtetit me institutet zvicerane, veçmas në kryerjen e ekspertizave të ndryshme.

Po ashtu, të dy palët e kanë çmuar lart nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Zyrës së Kryeprokurorit te Shtetit dhe Institutit te Bazelit, që ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të konfiskimit dhe rikthimit të aseteve të fituar me anë të veprave penale, i cili do t’i shërbejnë institucionit të Prokurorit të Shtetit në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkaq, Ambasadori Kolly, ka shprehur mbështetjen e tij dhe vendit që përfaqëson për ta ndihmuar institucionin e Prokurorit të Shteti në fusha të ndryshme.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka falënderuar Ambasadorin e ri të Zvicrës, Thomas Kolly, për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial, me ç’rast e ka vlerësuar mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Zvicrës dhënë për Republikën e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë.