Lumezi lëshon udhëzim për prokurorët që të mos detyrojnë gazetarët t’i tregojnë burimet

E publikuar: 21/04/2021 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë të përkushtuar për të siguruar që prokuroria dhe policia të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit dhe të respektojnë në tërësi Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, i cili mbron burimet e informacionit.

Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka lëshuar udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët, i cili është ndarë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ku detyrohen prokurorët që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë do t’i detyronte gazetarët apo profesionistet e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit.

Udhëzimi gjithashtu ua rikujton prokurorëve që, sipas ligjit, gazetarët nuk mund të ndiqen penalisht në rastet kur e shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes lidhur me burimet e tyre të informacionit.

Për me tepër, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që ta njoftojnë para se të ndërmarrin ndonjë veprim hetimor ndaj gazetarëve apo profesionistëve të medias.Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve.