Lumezi: Gjatë tre muajve vetëm një rast për financimin e terrorizmit

E publikuar: 28/06/2017 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka deklaruar se lufta kundër terrorizmit, pastrimit të parave krimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar janë çështje kyçe për integrimet evropiane.

Lumezi këto komente i bëri në punëtorinë me temë “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë”. Sipas tij, tha se lufta kundër terrorizmit nuk duhet vetëm e një institucioni por bashkëpunimi i të gjitha institucioneve është i nevojshëm për sigurimin e informacioneve.

Ai shtoi se bashkëngjitja e kosovarëve në luftërat e huaja ka bërë që Kuvendi të miratoi ligjin që dënon deri në 15 vjet ata që i bashkëngjiten luftërave të huaja siç janë ato në Siri dhe Irak.

Kryeprokurori tha se gjatë tre mujorit të këtij viti ka pasur rënie të kallëzimeve penale për financimin e terrorizmit, pasi kanë pasur vetëm një rast me tre persona. Krejt kjo sipas tij është si rezultat i luftës ndaj kësaj dukurie.

Kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj tha se financimi i terrorizmit dhe pastrimit të parave është kërcënim global.

Isufaj shtoi se institucionet janë angazhuar mjaftë shumë për parandalimin e këtij kërcënimi.

Fehmi Hoti nga Policia e Kosovës theksoi se institucionet e Kosovës kanë caktuar si prioritet të saj për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe pastrimit të parave, transmeton Kosovapress.

Nga viti 2013, Hoti tha se PK ka trajtuar rreth 300 persona dhe subjekte për dyshime për financimin e terrorizmit.

Drejtori i inteligjencës financiare, Dardan Nuhiu tha se luftimi efektiv i financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave është faktor kyç drejt integrimit në BE.

Kjo punëtori është organizuar nga Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimet Penale (ICITAP) dhe Zyra Tejoqeanike për Trajnim, Asistence dhe Zhvillim Prokurorial (OPDAT) në Kosovë, në kuadër të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve te Bashkuara.