Luljeta Pula – Ambasadorit Minxhozi: Injorimi i sakrificës sime kombëtare është harresë e turpshme

E publikuar: 29/11/2015 23:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-politikanja e njohur kosovare, Luljeta Pula, iu është drejtuar me një letër të hapur Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozit, duke ia përkujtuar faktin se përkundër angazhimit të saj të dëshmuar kombëtar asnjëherë nuk është ftuar në solemnitetet e 28 Nëntorit.

Pula përmend faktin se Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizon dhe shënon çdo vit këtë ditë të madhe me një solemnitet rasti ku ftohen figura politike, shoqërore e kulturore, e personalitete të dëgjuara kombëtare.

Por, shton ajo, “kurrë, as edhe një herë të vetme ajo nuk u kujtua të më ftojë e të më bëjë respektin e nderin që them unë e meritoj para shumë të ftuarve të tjerë aty”.

“Përveç personaliteteve të cilave u takon të jenë aty dhe që këtë respekt e meritojnë, shoh në atë tubim shumë mediokër, shumë shërbëtorë të Serbisë, profiterë e lakej, sahanlëpirës, njerëz që kurrë nuk bënë asgjë të vetme as për Kosovën e as për Shqipërinë, kriminelë e hajdutë. Është vërtetë për të ardhur keq”.

“Dhe ndihem rëndë, e fyer, e nëpërkëmbur, e injoruar dhe e zhvleftësuar”.

 

Klan Kosova sjell letrën e plotë.

 

Letër Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë

Zotit Minxhozi

I nderuar z. Ambasador,

Po ju drejtohem me një letër të pazakonshme që kam dashur ta shkruaj gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, dhe pastaj vit pas viti nuk e kam bërë, e bindur që ajo dhe përmbajtja e saj do të mund t’ia humbiste vlerën vetë fjalës dhe qëllimit të saj.

Po e shkruaj sot megjithatë, për të shprehur hidhërimin, dëshpërimin dhe zhgënjimin tim të thellë që e ndjej vite me radhë me 28 Nëntor. Dhe jo vetëm në këtë ditë të shënuar.

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizon dhe shënon çdo vit këtë ditë të madhe me një solemnitet rasti ku ftohen figura politike, shoqërore e kulturore, e personalitete të dëgjuara kombëtare. Natyrisht ashtu siç e do ky rast. Por kurrë, as edhe një herë të vetme ajo nuk u kujtua të më ftojë e të më bëjë respektin e nderin që them unë e meritoj para shumë të ftuarve të tjerë aty.

Përveç personaliteteve të cilave u takon të jenë aty dhe që këtë respekt e meritojnë, shoh në atë tubim shumë mediokër, shumë shërbëtorë të Serbisë, profiterë e lakej, sahanlëpirës, njerëz që kurrë nuk bënë asgjë të vetme as për Kosovën e as për Shqipërinë, kriminelë e hajdutë. Është vërtetë për të ardhur keq.

Dhe ndihem rëndë, e fyer, e nëpërkëmbur, e injoruar dhe e zhvleftësuar.

Që nga fëmijëria e hershme mbaj mend festimin tradicional familjar të 28 Nëntorit. Me flamurin për të cilin shumë shqiptarë në atë kohë bënin burg me vite të tëra në kazamatet serbe. Sepse kjo ishte fryma e edukata që na e kishte dhënë familja.

Që në vitet gjashtëdhjeta, atëherë kur isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç e shumë herë më vonë, kam shkuar në Ambasadat e Shqipërisë në Beograd dhe në Perëndim, natyrisht në konfidencë. Në kohën kur vizita e kontakte të tilla paguheshin me kokë. Përballë UDB-së së fuqishme jugosllave dhe spiunazhit të fuqishëm jugosllav. Në kohën kur të ftuarit Tuaj nuk kanë guxuar as ta përmendnin shkronjën Sh – Shqipëria.

Kam sakrifikuar gjithçka kam pasur, për kombin tim, rininë dhe jetën time, familjen time dhe fëmijët e mi, dhe së fundi shëndetin tim. Për më shumë se dyzet vjet me radhë.

Ju, besoj, e dini punën time dhe angazhimin tim kombëtar. Nëse jo, kërkoni atë në arkivat e Kosovës tek mediat e shkruara dhe vizive dhe tek institucionet tjera të Kosovës. Janë qindra e qindra intervista, prezantime, kumtesa, deklarata e prononcime të mija personale dhe të Partisë që unë drejtoja. Kërkoni në arkivat e Serbisë dhe do të gjeni dhjetëra intervista, deklarata dhe paraqitje publike në mediat vizive dhe të shkruara të cilat shumë herë personalitete politike të Serbisë i quajtën kërcënim ndaj Serbisë. Sepse frikën nga Serbia dhe pushteti serb nuk e kam njohur kurrë.

Kërkoni dokumentacione në shume vende perëndimore, kërkoni dokumentet e përfaqësimit të Kosovës në shumë Parlamente dhe institucione të tjera shtetërore evropiane dhe organizma të shumtë shtetërorë, qeveritarë dhe joqeveritarë në Evropë dhe në Amerike. Do ta shihni punën time kombëtare, të gjatë, të sinqertë, të përkushtuar e vetëmohuese e shumë të guximshme për vendin tim. Në kohën kur guximi lypej e rrallë gjendej. Kërkoni fundja edhe Arkivat dhe dosjet e mia në Sigurimin e shtetit, madje edhe në atë të kohës së Enver Hoxhës.

Dhe po qe e mundur, shihni dosjet e mia që nga 1968 në Arkivat e UDB-së Jugosllave.

Dhe mbase do të bindeni se është nën dinjitetin tim t’ua përkujtoj të gjitha këto që janë të njohura e publike. Dhe pyetni pastaj një pjesë të madhe të ftuarve tuaj ku kanë qenë në atë kohë dhe çfarë kanë bërë për këtë vend në jetën e tyre.

Nuk kanë luftuar sigurisht vetëm ata që kanë kapur armët në dorë për ta mbrojtur vendin e tyre, por edhe ata që këtë luftë e bënë ndryshe dhe me mjete të tjera të cilat ndonjëherë kanë mundur të jenë edhe më të vështira edhe më të rrezikshme.

Nuk është e thënë të përmend këtu përndjekjet që më ka bërë me vite Sigurimi Shtetëror serb, UDB-ja Jugosllave, e më vonë edhe shërbimet paramilitare të Serbisë; bisedat informative, shantazhet e kërcënimet e pushtetit serb; përcjelljet e ndjekjet që u kanë bërë edhe fëmijëve të mi të vegjël dhe tetë ndalimet-burgosjet që më bënë ata për 10 vjet me radhë.

Ftesa juaj eventuale në ceremoninë e festimit të Ditës së Flamurit nuk do të më bënte sot shumë krenare. Ajo vetëm do të ishte respekt ndaj punës sime, përkushtimit e sakrificës dhe angazhimit pa kushte për vendin tim.

Ndërsa injorimi Juaj, që ma bëni për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë si në kohën e Sali Berishës ashtu edhe në këtë të Edi Ramës, ndërkaq, është përbuzje, injorim, e një harresë e turpshme, dhe fyerje e ofendim për sakrificën time, për familjen time që mbeti viktimë e përcaktimit tim kombëtar, i fëmijëve të mi që s patën kurrë as nënë as fëmijëri.

Gjatë Luftës në Kosovë qëndrova për tre muaj në Kosovë. Deri në përfundimin e saj. Për katër herë me radhë Policia Serbe dhe forcat paramilitare bastisën banesën time dhe shtëpinë ku fshihesha për të më marrë. E di fare mirë se ç’do të ndodhte po të më gjenin. Nuk më gjetën, dhe është një çudi e vërtetë se si shpëtova e mbeta gjallë.

Unë nuk kam punuar kurrë për merita e për nam. Por kam punuar gjithmonë e vendosur, se kështu e kam ndier dhe kështu e kam parë borxhin që kam ndaj këtij vendi. Dhe po të kthehej koha me gjithë përvojën e hidhur dhe dëshpërimin unë do e bëja të njëjtën.

Një satisfaksion moral për një jetë falë Kosovës e kam merituar. Atë nuk ma dhanë kurrë në Kosovë, dhe prej tyre nuk e prisja. Por ama nga Shqipëria e kam pritur dhe injorimi i saj më dhemb ma shumë.

Do thoni ju se unë nuk jam në skenën politike sot. Kjo është e vërtetë. Unë u tërhoqa nga politika në vitin 2000 si akt moral pas dështimit partiak në zgjedhjet lokale në Kosovë. Sepse unë kam përgjegjësi, ndershmëri dinjitet dhe moral. Dhe kurrë në jetën time nuk kam bërë asgjë për përfitime e privilegje vetjake e as për merita. Por kam punuar me nder, sinqeritet, përkushtim, vetëmohim e sakrificë vetëm për një ideal.

Kam qenë dhe kam mbetur idealiste e përbetuar, me gjithë realitetin e vrazhdë e përmbysës.

Apo ndoshta duke e parë injorimin që politika dhe institucionet e Kosovës më kanë bërë po ashtu dhe në vazhdimësi, do të keni gjykuar se një ftesë eventuale do të bënte t’u mbetej qejfi pushtetarëve dhe atyre pranë tyre.

Injorimi dhe “harresa“ e njerëzve që i dhanë Kosovës dhe kombit, për çfarëdo arsye që të bëhet, mendoj unë, nuk ju bën nder as juve, i nderuar Ambasador, e as shtetit që ju përfaqësoni.

Disa figura nacionale janë dhe mbeten përherë institucione morale në kujtesën e këtij populli.

Nuk dua të jem modeste dhe dua të them që unë kam mbetur një e tillë.

Dhe unë e di se sot, për fat të keq, kur gjithçka ndër ne është kthyer kokëposhtë, në këtë përmbysje vlerash, të kërkosh drejtësi është vërtetë një absurd e një nonsens.

 

Prishtinë, 28 Nëntor 2015

 

Përshëndetje të sinqerta,

LULJETA PULA

—————————————————————————————————-

Intervistë e Luljeta Pulës me gazetaren Dijana Toska (RTK) në vitin 2000.