Luftimi i korrupsionit dhe terrorizmit sfidojnë sundimin e ligjit

E publikuar: 28/01/2017 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sistemi prokurorial në Kosovë është ballafaquar me sfida të ndryshme gjatë vitit të kaluar, por këto sfida serioze këtë sistem do ta përcjellin gjatë gjithë procesit të anëtarësimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.

Kështu ka thënë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit.

Ai ka treguar se gjatë vitit të kaluar Prokuroria Speciale, ka arritur që të zgjedhë 162 raste të formave të ndryshme, ka shënjestruar 33 raste dhe prej tyre ka ngritur 25 aktakuza, që sipas tij, konsiderohen të nivelit të lartë. Po ashtu janë zgjedhur 464 raste të korrupsionit, me 1166 persona që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Kurse, tetë raste tjera, ka thënë ai, pritet të përfundojnë në pjesën e parë të këtij viti.

Lumezi ka kërkuar angazhim maksimal nga prokurorët, sidomos në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe terrorizimit, pasi ai beson se mund t’ia dalin.

“Roli i Prokurorisë në përmbushjen e kritereve për liberalizmit e vizave dhe në rritjen e efikasitetit të kësaj lufte, është vendimtar. Jam i vetëdijshëm se barra kryesore në këtë drejtim i bie Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Lumezi.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se sistemi prokurorial ka shënuar suksese të vlerësuara, por ballafaqimi më krimin është sfidë e re. Beteja në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive negative, ka thënë ai, duhet të jenë të vazhdueshme, e vendosur dhe me tolerancë zero, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti, po ashtu, ka kërkuar drejtësi, siç ka thënë, për shqiptarët që janë vrarë gjatë luftës, por edhe për serbët e vrarë pasluftës në Kosovë.

“Në synimin tonë për të vërtetën dhe pajtimin duhet të punojmë të gjithë. Pra, përkushtimi im si president i vendit, është që të fitojë drejtësia, e vërteta dhe pajtimi ndëretnik në Republikën e Kosovës. Të jeni të bindur se vetëm kështu mund të ndihmoni dhe do të jeni patriotët më të mëdhenj të këtij vendi, nëse ballafaqoheni me sfidat më të rënda, më të ndjeshme”, ka deklaruar Thaçi.

Edhe përfaqësues të zyrave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, pjesëmarrës në këtë konferencë, janë shprehur që sistemi i drejtësisë ka shënuar rezultate, por ende duhet të angazhohen në mënyrë që të fitohet besimi i qytetarëve karshi këtij sistemi.

Zëvendësshefja e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Collen Hyland, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e drejtësisë që në luftën kundër korrupsionit, të konfiskohet dhe sekuestrohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme.

“Mënyra më efektive për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është që t’ia merrni aftësinë krimineleve dhe ndërmarrjeve të tyre që të zhvillojnë biznesin e tyre”, ka thënë Hyland, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ndërrohet perceptimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ndërkaq, zyrtarë të institucioneve të drejtësisë kanë përsëritur qëndrimet e tyre, se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e “ashpër” dhe angazhimi në këtë drejtim është marrë seriozisht.