“Luftë për luftën kundër korrupsionit”

E publikuar: 27/10/2016 08:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë, organizon sot një tryezë për të diskutuar performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Tryeza do të titullohet “Luftë për luftën kundër korrupsionit”, e cila do të shërbejë që të diskutohet raporti i monitorimit të sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

 “IKD gjatë kësaj tryeze do të prezantoj raportin e monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor për periudhën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Raporti përmban gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete se si të shtohet efikasiteti dhe efektiviteti i sistemit prokurorial dhe gjyqësor me fokus në trajtimin e rasteve të korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, raportet e IKD-së janë rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor.

Në fokus të raporteve janë aktivitetet e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Gjykatave, Prokurorive Themelore si dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe performancën e tyre në luftën kundër korrupsionit. Gjetjet e IKD-së dëshmojnë për probleme serioze në respektimin e obligimeve ligjore dhe në zbatimin e politikave për trajtimin e rasteve të korrupsionit me prioritet absolut. Monitoruesit e IKD-së, prej 1 korrikut 2015 deri më 30 shtator 2016 kanë monitoruar 1382 seanca gjyqësore, ku përfshihen 977 raste të korrupsionit me 2500 persona.

Në fokus të këtij raporti janë rastet e korrupsionit të monitoruara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, ku janë monitoruar 749 seanca gjyqësore, ku përfshihen 564 raste të korrupsionit me 1386 persona. Trendi i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit vazhdon të sfidojë sistemin prokurorial dhe gjyqësor, rrjedhimisht kemi vazhdimisht lëndë të parashkruara të korrupsionit.

 Pjesë e panelit në këtë tryezë do të jetë edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovës, Greg Delawie, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Kryesuesi i KGJK-s, Nehat Idrizi, Anëtarja e KPK-së, Radica Milic, si dhe do të jenë të gjithë drejtuesit e sistemit prokurorial (Kryeprokurorët e Prokurorive) dhe sistemit gjyqësor (Kryetarët e Gjykatave), përfaqësuesit e mekanizmave të performancës dhe disiplinimit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor, drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Media.