Lufta për pushtet mund të shkaktojë trazira në Kosovë

E publikuar: 27/08/2016 10:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vjeshta mund ta zërë Kosovën me trazira. Për mundësi të tilla tashmë po flasin hapur ekspertët e sigurisë, sipas të cilëve kohëve të fundit është shënuar rritje e tendencës së përdorimit të forcës për t’i zgjidhur problemet politike dhe ideologjike.

Vetëm nga vjeshta e vitit të kaluar e deri më tani janë gjuajtur katër mjete shpërthyese, duke përfshirë bombën në Gjykatën Kushtetuese, gjuajtjen me zollë në Kuvendin e Kosovës, granatë në shtëpinë e Murat Mehës dhe së fundi sulmi me bombë në objektin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Derisa Policia nuk ka arritur ta zbardhë asnjërin nga këto raste, sipas ekspertëve të sigurisë, çelësi është tek zgjidhja e problemeve politike.

Florian Qehaja, ekspert i sigurisë, ka thënë për “Zërin” se ka një potencial në rritje të përdorimit të forcës si mjet për përplasje të caktuar politike dhe ideologjike.

“Dhe në tjetrën anë është një tendencë e shfrytëzimit të kësaj situate nga qarqe të caktuara që kanë interesa politike dhe ideologjike dhe që mund ta shfrytëzojnë këtë situatë kundër interesave të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë eksperti kosovar i sigurisë.

Ai ka thënë se çelësi për këtë situatë është tek zgjidhja politike e problemeve.

“Kurse në aspektin e sigurisë kërkohet ngritje e gatishmërisë parandaluese nga Policia dhe nga Agjencia e Inteligjencës”, thotë ai.