Luajti i lënduar dhe shënoi në derbi, Nainggolan: Skuadrat e mëdha fitojnë këso ndeshje

E publikuar: 19/11/2017 09:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Roma ka arritur një fitore të madhe në derbin lokal përballë Lazios 2-1.

‘Giallorosët’ shënuan dy gola të shpejtë me Perottin dhe Nainggolan, ndërsa Immobile realizoi nga penalltia për mysafirët.

Mesfushori belg, Radja Nainggolan nuk ishte në 100% të formës në këtë sfidë por rrezikoi dhe ia doli për mrekulli.

Ai ka shënuar një gol tejet të bukur dhe dha gjithçka nga vetja në fushë për ta ndihmuar skuadrën t’i marrë tri pikët.

“Ndoshta kemi vuajtur pak pasi u ngushtua rezultati, por jemi skuadër e madhe dhe skuadrat e mëdha fitojnë këso ndeshje”, deklaroi Naiggolan.

Nainggolan duke festuar fitoren në fund të ndeshjes (Foto/Getty Images)

Ai rrezikoi jo pak me aktivizimin e tij pasi kishte pësuar një lëndim tetë ditë më parë me Kombëtaren belge.

“Këto janë ndeshje të mrekullueshme dhe tejet të rëndësishme. Nuk dëshiroja ta mungoja. Gjithmonë dua t’i ndihmojë shokët e mijë dhe jam i lumtur për ndeshjen e fitoren”, u shpreh belgu.

Krejt në fund numri katër i Romës ka refuzuar të flas për titullin e kampionit.

“Nuk dua të flas për ‘Scudetto’ tani. E rëndësishme për ne është t’i marrim fitoret radhazi pastaj të shohim se ku do të jemi”.

“Qëllimi ynë kryesor është të kalojmë grupin tani në Ligën e Kampionëve pastaj të shohim”, përfundoj Nainggolan.

Pas 12 ndeshjeve në Serie A, Roma ndodhet në pozitën e tretë me 30 pikë të grumbulluara, pesë më pak se Napoli që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. /Telegrafi/