LSDM pretendon fitoren e Pendarovskit, VMRO ankohet për parregullsi zgjedhore

E publikuar: 05/05/2019 21:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dhënat e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, tregojnë një epërsi prej 10 përqind të votave në favor të kandidatit të partive në pushtet, Stevo Pendarovski.

Stevo Pendarovski

Stevo Pendarovski

Edhe Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka publikuar rezultatet e para nga rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, me epërsi të Stevo Pendarovskit që kishte mbështetjen e 31 partive politike, përfshirë edhe të BDI-së dhe dy partive tjera shqiptare që janë pjesë e qeverisë.

Sipas LSDM-së, zgjedhjet kanë qenë të rregullta duke dëshmuar kapacitetin demokratik të Maqedonisë së Veriut. Në zgjedhje është arritur pragu zgjedhor prej 40 për qind si kusht për suksesin e zgjedhjeve.

“Qytetarët në mënyrë masovike shfrytëzuan të drejtën e votës dhe paqësisht dhe me dinjitet zgjodhën presidentin e pestë të shtetit. Republika e Maqedonisë së Veriut zhvilloi zgjedhje të pastra si kristali, të lira e demokratike ashtu siç i ngjan një shteti demokratik modern evropian. Stevo Pendarovski është në epërsi dhe presim fitore”, ka deklaruar Aleksandar Kiracovski, shef i shtabit zgjedhor të LSDM-së.

Edhe BDI-ja ka thënë se është e kënaqur nga mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Izet Mexhiti nga BDI-ja tha se kjo parti “ka siguruar rreth 90.00 vota shqiptare për kandidatin e LSDM-së”.

Por, edhe nga VMRO DPMNE-ja thonë gjithashtu se kandidatja e saj, Gordana Siljanovska udhëheq në shumë zona të vendit ndërsa ka dalë me akuza të rënda në adresë të Qeverisë për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Gordana Siljanovska-Davkova

Gordana Siljanovska-Davkova

“Kësaj radhe pushteti nuk ishte në krye të detyrës. Janë të shumta parregullsitë zgjedhore. Ky është rezultat i panikës dhe frikës. Pushteti po humb karriget. Kemi dyshime të shumta për votime familjare, transport të organizuar të votuesve dhe presion ndaj tyre. Pavarësisht kësaj, populli ka fituar, presim rezultatet të shkëlqyeshme për VMRO DPMNE-në, me numrin më të madh të votave. VMRO DPMNE po kthehet në derën e madhe”, ka deklaruar Igor Janushev nga shtabi zgjedhor i VMRO DPMNE-së.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se procesi zgjedhor ka kaluar në atmosferë demokratike ndërsa të gjitha parregullsitë e denoncuara do të shqyrtohen në mënyrë adekuate.

“Mund të konstatoj se kishim një ditë zgjedhore me parregullsi të vogla, por pa prishjen e rendit dhe të qetësisë publike. Edhe një herë uroj qytetarët dhe institucionet për organizimin e shkëlqyeshëm të procesit zgjedhor, ashtu siç i ngjan një shteti demokratik siç është Republika evropiane e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, duke njoftuar se gjatë ditës së dielë policia ka marrë disa denoncime për parregullsi, por që nuk kanë rezultuar të sakta ndërsa disa të tjera janë duke u proceduar nga organet e rendit.

Në rrethin e parë, më 21 prill, në votime kanë dalë 41.67 për qind ndërsa Stevo Pendarovski ka fituar me një epërsi të ngushtë prej rreth 4200 vota, respektivisht 322.58 vota apo 42,81 për qind të votave, ndërsa kundërkandiatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova 318.341 vota apo 42,25 për qind.