Lotët e krokodilit për 6 gylenistët e deportuar në Turqi dhe kujtimet për shqiptarët e ekstraduar në Maqedoni! Shpërqendrim i vëmendjes!

E publikuar: 06/04/2018 01:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Sali Kabashi – Historian

Jemi dëshmitarë të një polemike të jashtëzakonshme këto ditë, si nga mediat, ashtu edhe nga persona të caktuar, të cilët vajtojnë e “kukasin”, për disa njerëz që deri sot as nuk kanë ditë që ekzistojnë!

Fjala është për deportimin e 6 gylenistëve nga Kosova në shtetin e origjinës, në Turqi, për të cilët u bë një buj e madhe, se pse janë deportuar atje në Turqi. Për këtë gjë, u mbajt edhe një seancë parlamentare e thirrur na LDK dhe VV, që të kërkohet “fajtori” dhe përgjegjësi i deportimit të gylenistëve!
Nga Kryeministri Haradinaj u tha se ai “nuk ishte i informuar për rastin e deportimit të tyre në Turqi”, por jam i sigurtë se nuk e thoshte të vërtetën!
Kujtojmë kur Kryeministri Haradinaj nuk reagoj plot 24 orë për arrestimin e Gjuriqit, kur e pa që qytetarët dhe mediat po i shpallin “heronj” ata që e bënë arrestimin e tij, atëherë doli në skenë Kryeministri dhe tha: “unë isha i informuar për të gjithë aksionin”! Ndërsa për rastin e 6 gylenistëve, kur pa që mediat, analistët, politikanët dhe disa qytetarë, nuk po e përkrahin arrestimin e tyre, ai tha: “unë nuk kam qenë në dijeni për deportimin e gylenistëve” dhe për ta kamufluar edhe më mirë këtë, Kryeministri “që s’dinë asgjë” për punët e Kosovës, e shkarkoj Ministrin e Brendshme ndërsa atë të AKI-së nuk kishte kompetenca ta shkarkonte!
Në qoftëse Organizata “FETO” dhe anëtarët e saj, ishin akterët kryesorë të Puqit të 15 korrikut 2016 në Turqi, pse mendohet se këta njerëz janë të mëshirshëm për Kosovën? Çka nëse pas 5 vitesh apo diç më shumë, këta gylenistë dhe të shkolluarit e të edukuarit në shkollat e FETO-s në Kosovë, shkaktojnë luftë civile vëllavrasëse? Kur ishin aç të egër për vendin e tyre, pse mendojnë disa njerëz se ata do ishin të butë me Kosovën?
Në media të shkruara doli edhe një hulumtim për këta 6 gylenistë, ku vetëm njëri,qarkullim vjetor kishte plot 60 milion euro! A nuk janë pak shumë për një profesor të një Shkolle?
Ndërsa, në mediat turke, njëri nga ta, i quajtur Cihan Ozkan, akuzohet si mbledhës i fondeve të bamirësisë në Ballkan, fonde të cilat i ka dërgua në Pensilvani te kreu i tyre Fetullah Gylen!

Lotët dhe vajtimi që u bë këto ditë për këta gylenistë, nuk ishte bërë për shqiptarët e ekstraduar në Maqedoni, për të cilët janë dhëne dënime jashtëzakonisht të ashpra, deri në dënim të përjetshëm!
T’i kujtojmë disa raste:

Në vitin 2004 shteti maqedonas bëri një kërkesë zyrtare tek Policia e UNMIK-ut për ekstradimin e ish-Komandantit të UÇK-së Jakup Avdyli (Komandant Çakalla), i cili kishte ikur në Kosovë nga Maqedonia, pas një kohe ishte vetëdorëzuar te KFOR-i amerikan, ku pastaj edhe ekstradohet në Maqedoni.
Ai lirohet pas plot 14 vite e 2 muaj, pas lirimit ai thotë se do të kujdeset për shëndetin e tij, sepse është i sëmurë nga veshkat për shkak të kushteve të tmerrshme në burgjet e Maqedonisë.

Në vitin 2013 Policia kosovare arrestoi dhe ekstradoi menjëherë në Maqedoni Hoxhën Shukri Aliu, ish-pjesëtar i tri luftërave shqiptare (Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni)!
Ai ishte me nënshtetësi kosovare dhe si i tillë nuk do të duhej të ekstradohej, por ja që ekstradimi ndodhi!
I akuzuar për organizim të protestave në Shkup, në vitin 2016 ai lirohet si i pafajshëm!

Në vitin 2015 Policia e Kosovës i dorëzon autoriteteve maqedonase ish-ushtarin e UÇK-së, Almir Drlanjin, i cili u dënua me burg të përjetshëm nga Gjykata maqedonase.
Këto janë vetëm disa raste për të cilat askush nuk reagoj dhe nuk derdhi lot të tillë të tipit “buzhaljan”, që të “këpusin” shpirtin.

Pastaj, u tha se Erdogani ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, kur tha: “kosovarët nuk do t’i japin kredibilitet një Kryeministri si Haradinaj”! Kjo nuk është ndërhyrje, ky është një konkludim nga i pari i Turqisë, se kosovarët meritojnë më shumë se një Kryeministër si ky!
Pastaj, pse po kanë guxim disa të tregohen “ujqër” karshi Erdoganit, ndërsa “lepuj” ndaj të tjerëve? A nuk ju kujtohet se Presidentja Atifete Jahjaga erdhi në zarf, e paketuar nga ambasadori Amerikan dhe qëndroi 5 vite Presidente? A nuk është kjo ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit tonë? Dhe jo vetëm ndërhyrje, por imponim i një Presidente, që askush nuk e ka njohur deri atë ditë kur u zgjedh! Pse nuk reaguan atëherë disa që sot po turren drejt Erdoganit?

Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, hajnat e tre përqindëshit dhe fondit “Vendlindja thërret”! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, ata që e vjedhin shtetin dhe bëhen milioner me taksa të qytetarëve! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, hajdutët e varrezave të dëshmorëve dhe lapidareve të heronjve! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, njerëzit që u pasuruan nga autostrada e Kosovës! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, ata që vjelin haraq në biznese private! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, ata që përzunë investitorë të huaj për shkak të përqindjes që kërkonin! Nuk mund të na shesin moral e patriotizëm, ata që përfituan e mashtruan qytetarë me viza!
E gjithë kjo ngjarje, ishte thjeshtë një shpërqendrim i vëmendjes nga çështjet kryesore, si falja e 8200 hektarëve shtetit të Malit të Zi, mos-liberalizimi i vizave, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, etj. Kjo është një politikë mirë e koordinuar nga krerët e shtetit, të cilët vërtetë, janë të pamëshirshëm për vendin dhe qytetarët.

Andaj, bëj thirrje për qytetarët dhe politikanët e Republikës së Kosovës, që të merremi me çështjet tona që na preokupojnë çdo ditë, si: Krimi i organizuar, korrupsioni, klientelizmi, papunësia, padrejtësia, degjenerimi i të rinjve me drogë dhe rrugë pa dalje, ngritja e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, etj., sepse fundja, nuk jemi ne shtet që mund të bëjmë përhapje të Demokracisë globale! Të merremi me vetën dhe ta dimë se kush është armiku dhe kush është miku ynë.