Lotët e juaj për fëmijët sirian janë të rrejshëm, mbani për vete!

E publikuar: 03/09/2015 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Astrit Gashi

Llumi del në shesh aty ku është kallaballëku. Kjo po ndodhë edhe me disa reagime nga Kosova pas fotografisë shokuese dhe shumë prekëse të fëmijës sirian që ishte mbytur në det, duke ndjekur lirinë dhe shpëtimin nga lufta në Siri, diku tjetër e me theks të veçantë në Evropë.

Pamjet e fëmijës sirian, ishin jo vetëm prekëse, por aq të zorshme sa që të vështira më u përpi, edhe për faktin se kanë konotacion personal. Ne ishim refugjatë po ashtu- dhe largimi ose përndjekja jonë nuk ka qenë pa vështirësi e pa emocione.

Aq të rënda sa që ka tashmë 24 orë që postimi e ri-postimi i tyre në shenjë përkrahje a kërkesë për solidaritet, i kanë shndërruar rrjetet sociale në platforma dhimbjeje e vdekjeje sa që më të kap tensioni kur ti hap.

Derisa është jo vetëm i kuptueshëm, por madje edhe krejtësisht i pëlqyeshëm ky reagim- sepse na tregon që ende jemi njerëz e që shpesh frikësohem që jemi distancuar nga kjo- emocioni i publikut dhe solidarizimi ne të vuajturit më të fundit të kësaj bote, thjeshtë nuk po arrijë ta përpijë lotët e rrejshëm të politikanëve kosovarë.

Jo nuk mund të hesht e as të vëzhgoj nga anash shumëfëtyrsinë, propagandën e emocionin e rrejshëm, nga ata që këtë tashmë moti e kanë shkëmbyer për fuqi e pushtet personal.

Tash do ti dëgjoni dhe lexoni duke u shprehur me dhembshuri për fëmijët e refugjatët nga Siria edhe ata e ato që për grykën e vete dhe të familjeve të tyre, qe sa vite tashmë po ja u hanë të ardhmen jo vetëm fëmijëve, por edhe vendit në tërësi.

Nuk kanë turp andaj na behën të mëshirshëm, edhe ata individ që për “kajtën” e tyre personale dhe të familjes së tyre, thjeshtë shkaktojnë që fëmijë të këtij vendi të janë refugjatë edhe sot 16 vite pas lirisë. Kur nuk ka luftë e ka liri formale tek ne, por nuk ka ardhmëri të mjaftueshme e të pritur.

Do ta bëjnë të zezë ata tash edhe Evropën, se nuk po ja u hap dyert e strehon këta refugjatë, ndonëse me veprimet e tyre në vendin tonë përditë na ofrojnë me lindjen e na largojnë nga perëndimi. Sepse vetëm nëse na skajojnë në lindje mund të jenë njëkohësisht edhe sundimtarë, dhe të qajnë për ne.

Nuk trishtohen ata nga këto pamje, por e kanë pa trishtimin e qytetarëve dhe tash vrapojnë të marrin copa të këtij emocioni për ta mbajtur e forcuar pushtetin.

Nuk bëjë krahasim situatash e arsyesh ikjesh- e kemi përjetuar edhe ne kush më shumë e kush më pak luftën, për ta ditur sa e vështirë është të jesh në mes të saj.

Nuk do flisja madje për këtë çështje, sikur ata që kanë pasur e kanë pushtet, e që sot na shiten si human, të mos kishin folur hiç.

Por meqenëse ata nuk kanë fytyrë, nuk mund ta përpijë pa ju thënë se “nuk ju shkon”.

Lotët e juaj për fëmijët sirian janë të rrejshëm, mbani për vete.