Lojërat Olimpike dhe sportistët koreano-veriorë

E publikuar: 03/01/2018 08:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koreja e Jugut pranoi zhvillimin e bisedimeve të nivelit të lartë me rivalen e saj, Korenë e Veriut. Synimi i diskutimeve do të ishte përfshirja e sportistëve koreano-veriorë në Lojërat Olimpike që fillojnë në shkurt në Korenë e Jugut:

Ministri koreano-jugor i Bashkimit tha sot se Seuli synon të takohet me diplomatë koreano-veriorë brenda një jave në fshatin Panmunjom që ndodhet në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve.

Cho Myoung-gyon, Ministri Koreano-jugor i Bashkimit

“Shpresojmë që përfaqësuesit e Koresë së Veriut dhe të Jugut do të ulen dhe do të diskutojnë hapur për pjesëmarrjen e sportistëve koreano-veriorë në Lojërat Olimpike të Piongçangut si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy Koreve dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët,” tha ministri.

Seuli e bën këtë ofertë një ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un e shfrytëzoi fjalimin e Vitit të Ri për të deklaruar se po shqyrton mundësinë e dërgimit të një ekipi sportiv në Lojërat Olimpike.

Presidenti i Koresë së Jugut e mirëpriti propozimin e Kim Jong Unit për të zhvilluar bisedime të hënën e ardhshme, por tha se përmirësimi i marrëdhënieve mes dy Koreve duhet të ecë paralelisht me braktisjen e programit bërthamor nga Pheniani.