Lodhja intelektuale

E publikuar: 10/10/2018 17:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Blerim Reka

Shqiptarët nuk kanë një Sartër, të cilin nuk mundi ta ndalte as Presidenti Degoll, sepse siç thoshte- “nuk arrestohet Volteri”. Atëherë, para gjysmë shekulli, lëvizja intelektuale e Sorbonës, , kishte realizuari misionin e vet se: “është e ndaluar, të ndalosh”.  Sot, ndërkaq intelektualët shqiptarë nuk i ndalon askush. Jo sepse janë larg përmasave ndërkombëtare të Volterit, por mbetën edhe larg kalibrit kombëtar të: Konicës, Nolit e Merxhanit. Pas Luftës së Dytë Botërore, dy periudha profilizuan  formatin e intelektualit. Në shoqëritë shqiptare komuniste, intelektualët ishin heshtur nga frika- prej persekutimit. Sot, u mekën nga joshja prej pushtetit- post komunist. Pra, nëse dje ishin ndaluar, sot ata po vetë-ndalohen. Gjatë periudhës së parë, intelektualët  madje edhe në rrethana represive, guxuan- sidomos në Kosovë- ti kundërviheshin regjimit edhe me çmimin e burgosjes. Nga Demaçi, tek “Apeli i 215 intelektualëve ” e deri te shqyerja e librezave të LKJ, në gazetën “Rilindja”. Në periudhën e dytë, intelektuali, nuk e ka mbi kokë burgun, por kufizimin  e parasë apo të postit. Blerja e heshtjes intelektuale, me financimin shtetëror të “projekteve madhore shkencore”, të “botimeve jetësore” apo emërimit të “këshilltarëve”; doli më efikas se ndëshkimi komunist. Vetëm pas mbylljes së rubinetës buxhetore, ata që deri dje heshtnin, sot kritikojnë. Dhe anasjelltas: ata që sot duken kritikues, mjafton një linje buxhetore, për tu ri-qetësuar. Në këtë çerek shekulli post-komunist, funksionoi perfekt formula bizantine  e mposhtjes së kundërshtarit: bleje, nëse nuk e mund me dhunë. Pushteti post-komunist, doli më inventiv me krijimin e inxhinerignut qetësues: reketimin e intelektualëve. Por ndodhi edhe procesi i kundërt: reketimi i zyrtarëve- sidomos nga mediat e çatuara, me metamorfizimin e tyre në raport me pushtetin. Para çerek shekulli, mediumet kritikonin, pse funksionarët shtetëror kishin një shtëpi elitare: te Blloku, në Gërmi apo në Vodno. Sot, mediumet, mezi hapin temat se si me rroga buxhetore funksionarët aktual, kanë vila e hotele jashtë vendit? Ose, i mbyllin ato, posa u paguhet reketi.  Përveç medias, nuk janë më mirë as organizatat jo-qeveritare. Në çerek shekullin e fundit post-komunist, ideja për shoqërinë civile u devalvua, duke u redukuar në atw të shoqërisë shtetërore, fenomen i njohur edhe në literaturën e huaj si QNGO. Pushteti post-komunist, pra me mjeshtri gradualisht: ose bleu OJQ-të kritikuese; ose edhe vet themeloi dhe financoi kuazi OJQ, për t’i kundërvwnw atyre që e kritikonin. Me pak përjashtime, prijësit e shoqërisë civile , në petkun e “analistëve politikw”,  shtynw anash intelektualët, ndërkohë që nga kritikuesit e pushtetit, do bëheshin edhe pjesë e pushtetit. Ata që deri dje kritikonin pushtetin, sot duan të na bindin se vetëm ne, (por edhe vetë ata- më herwt), e kishin gabim!

Deri në fillim të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar ishte, pra frika ajo që frenonte mendimin e lirë intelektual. Tek intelektualët e sotëm, frikën e zëvendësoi e kojtmja. Pushteti komunist ndaj intelektualëve kritik aplikonte diferencimin ideo-politik. Ky i sotmi- diferencimin buxhetor. Në komunizëm ndodhi vetë-censura intelektuale;  pas komunizmit po ndodhë lodhja intelektuale.

Sot, intelektualët nuk burgosen, por ama as nuk i pyet kush për mendim. Madje edhe ata vetë si duket janë të lodhur nga dhënia e mendimeve, sepse kush nuk i vlerëson më ato. Pa amnistuar as vetë intelektualët, të cilët me heshtjen konformiste, kanë po aq përgjegjësi për de-intelektualizimin e shoqërive tona.

Pse edhe ne nuk jemi vetë-kritik dhe pse në emër të solidaritetit të rrejshëm kolegjial, mbyllim sytë para avancimeve të dyshimta në thirrjet akademike? Pse heshtim për plagjiaturë dhe për botimet kuazi shkencore të kolegëve tanë në “fake journals”? Pse nënshkruajmë recensione për master e për doktorate të dyshimta?

Fundja pse bëhemi sikur nuk dimë për diplomat false apo edhe përarritjen e gradave shkencore- madej as pa diplomë fakulteti?! Shqetësese është jo vetëm dhjamosja intelektuale e profesoratit në prag të pensionimit, por shumë më tepër e kuadrove të reja që posa hynë në komunitetin akademik. Guximi intelektual nuk nënkupton vetëm kritikë kundër pushtetit, por po aq edhe kundër devijimeve brenda vetë botës akademike. Nuk ngritet shoqëria me pseudo-intelektualë. Jo rastësisht arsimi në shoqëritë shqiptare është në fund të rangimit europian, kurse universitetet tona zënë vendet katërshifrore klasifikuese. Pra, faji është edhe i vetë intelektualëve, të cilët: të paligjshmen dhe jo-etiken në komunitetin e tyre akademik e pranuan si legale dhe morale.