Lobisti më i fuqishëm në Washington punon edhe për Kosovën

E publikuar: 12/05/2018 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në shkurt, firma e lobistit Brian Ballard, “Ballard Partners”, u shpërngul në një zyrë më të madhe në katin e dytë të “Homer Building”, që t’i akomodojë lobistët e rinj që ai i ka punësuar që prej zgjedhjes së njërit prej ish-klientëve të tij, presidentit Donald Trump.

Në takimin e parë të stafit të firmës së tij në zyret e reja, Ballard dhe pesë nga lobistët e tij të Washington-it, u ulën në karriget e reja prej lëkure rreth një tryeze të vogël konferencash, me në krye Ballardin.

Robert Wexler, ish-kongresmen nga radhët e Partisë Demokratike nga Florida, i punësuar nga Ballard vitin e kaluar, thirri nga Parisi me risi mbi punën e kësaj firme me qeverinë e Turqisë.

Jamie Rubin, ish zëvendës-sekretar i shtetit në administratën e Clinton-it, thirri nga Brukseli dhe azhuroi Ballardin për një takim që kishte pasur me Moise Katumbin, lider në azil i opozitës nga Republika Demokratike e Kongos, i cili është klient:

“Do të gëzoheni të dëgjoni se kemi nënshkruar sot me Maldivet”, i tha Rubinit, Syl Lukis, një tjetër lobist i Ballardit.

“Le të flasim shpejtë për Kosovën dhe Turqinë”, tha Ballard (Qeveria e Kosovës është një tjetër kliente e Ballardit).

Ballard është një lobist veteran nga Florida i cili ka qenë në Washington për më pak se një vit – kohë tejet e shkurtër krahas praktikantëve të tjerë që kanë kaluar dekada brenda Beltway-t.

Por ai është më i afërt me presidentin se sa ndoshta ndonjë lobist tjetër në vend. Ai e ngritur këtë marrëdhënie në një biznes i cili lulëzon duke ndihmuar klientët që të kenë sukses me administratën e Trump-it – dhe klientët e tij, e madje edhe disa nga rivalët e tij thonë që ai e di se çfarë ndodh në Krahun Perëndimor më mirë se çdokush tjetër në “K Street”.

Ballard ishte një nga mbledhësit më të mëdhenj të fondeve për kampanjën e Trump-it, dhe vazhdon që të mbledhë miliona për fushatën e tij të ardhshme.