Lobim për liberalizimin e vizave

E publikuar: 17/03/2016 17:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së dhe atyre jo anëtare të BE-së, pjesëtare të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.
Sipas një njoftimi të kryeministrisë, Mustafa i informoi të pranishmit lidhur me progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale politike.

Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e liderëve politikë dhe institucionalë anëtarë të EPP-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i njoftuar për përmbushjen nga ana e Kosovës të të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara.

“Duke u bazuar në punën e bërë në këtë drejtim, institucionet dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vlerësim dhe vendim pozitiv të mekanizmave të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Mustafa, teksa ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën evropiane, duke theksuar edhe orientimin e Kosovës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me fqinjët përmes dialogut.

Kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar edhe për masat konkrete që ka marrë Qeveria e Kosovës për ndaljen e fluksit të refugjatëve nga Kosova gjatë fillimvitit të kaluar në drejtim të vendeve të BE-së dhe rezultatet inkurajuese në riitntegrimin e të kthyerve në Kosovë.

Krahas kryeministrit Mustafa, në punimet e samitit kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri Viktor Orban, dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.

Po ashtu, ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të mekanizmave të BE-së, si presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, presidenti i EPP-së, Joseph Daul etj.