Lluka tregon se sa dëmtohet Kosova nëse kontrata për Kosovën e Re s’kalon në Kuvend

E publikuar: 19/01/2018 19:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kur unë kam marrë detyrën dhe kam parë kushtet që kanë qenë të arritura, kam thënë që ato nuk janë në përputhje me interesat e shtetit. Kjo është një prej kontratave më të mira. Normalisht që do të ketë penalti, nëse nuk përmbushen kushtet e kontratës. Por ne do të jemi të kujdesshëm që ta bëjmë punën, ashtu siç kemi premtuar”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se kontrata për termocentralin “Kosova e Re” është negociuar në nivel shumë profesional dhe është nga më të mirat që mund të arrihen.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se publikimi i saj është nismë për transparencë të krejtësishme, ndërsa ka shpjeguar se çka si parashihen në të skenarë të ndryshëm.

Lluka po ashtu ka theksuar se beson që ajo do të arrijë të marrë dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për t’u bërë valide, pasi është i bindur se i kanë votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Për hir të transparencës, ne kemi vendosur që ta publikojmë kontratën kështu sic është. Kontrata është bërë në gjuhën angleze, sepse ajo ka qenë gjuha e negociatave, për shkak se kemi pasur shumë këshilltarë ndërkombëtarë si shtet. Tashmë kanë nisur procedurat e përkthimit në shqip, por pasi ka shumë terme teknike, përkthimi merr pak kohë. Sa i përket kontratave, unë premtoj se do t’i publikoj të gjitha kontratat që do të arrihen”.

“Kur unë kam marrë detyrën dhe kam parë kushtet që kanë qenë të arritura, kam thënë që ato nuk janë në përputhje me interesat e shtetit. Kjo është një prej kontratave më të mira. Normalisht që do të ketë penalti, nëse nuk përmbushen kushtet e kontratës. Por ne do të jemi të kujdesshëm që ta bëjmë punën, ashtu siç kemi premtuar. Në rast se projekti dështon të vazhdojë për fajin tonë, dëmi që duhet paguar llogaritet të jetë 19 milionë euro; për shembull nëse Kuvendi i Kosovës nuk e voton këtë projekt”.

“Sa i përket kalimit në kuvend, ne kemi mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Së paku, me konfigurimin aktual, mund të them që me këtë mbështetje, nuk do ta kemi të vështirë që marrëveshja të marrë votën e deputetëve”./lajm.net/