Lluka: Komuna e Deçanit me ndriçim më të mirë publik

E publikuar: 08/02/2019 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Komunën së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për implementimin e pilot projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë”.

Me këtë memorandum bashkëpunimi do të testohet pilot projekti i zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë, ku parashihet të përmirësohet ndriçimi publik i Komunës së Deçanit. Kjo marrëveshje arrin shumën totale prej 51 mijë euro, ku 46 mijë euro do të ndahen nga MZHE dhe 5 mijë euro nga Komuna e Deçanit.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje Ministri Lluka tha se me këtë projekt do të përmirësohet ndriçimi publik dhe ky fond është në kuadër të fondit për efiçiencë të energjisë.

“Kjo është faza e parë e projektit për efiçiencë të energjisë, e cila parasheh ndërrimin e ndriçimit publik dhe në këtë mënyrë do të përmirësohet ndriçimi në këtë komunë, po ashtu përdorimi i energjisë do të jetë me efiçient”, u shpreh ministri Lluka.

Ndërsa, Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj falënderoi ministrin Lluka për këtë marrëveshje dhe për ndarjen e fondeve për këtë projekt.

“Ne e falënderojmë Ministrin Lluka për këtë marrëveshje bashkëpunimi dhe për ndarjen e fondeve për Komunën e Deçanit. Po ashtu, sot përpos nënshkrimit të memorandumit do t’i diskutojmë edhe disa projekte të tjera dhe t’i shohim mundësitë e bashkëpunimit me MZHE-n”, tha ndër të tjera Ramosaj.