Llapi fiton në Gjilan duke ia shkaktuar humbjen e tretë Dritës

E publikuar: 13/09/2018 06:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Llapi e ka mposhtur kampionin në fuqi të Superligës së Kosovës në futboll, Dritën, edhe atë në udhëtim.

Në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, ekipi nga Podujeva fitoi me rezultat 2-1.

Fiton Hajdari i kaloi mysafirët në epërsi në minutën e dhjetë të takimit.

Vendasit arritën ta barazonin rezultatin me golin e Bujar Shabanit (37′) duke shkuar në pushim me shifra identike.

Festim Alidema ishte heroi i sfidës duke e shënuar golin e fitores për ekipin e Bylbyl Sokolit në pjesën e dytë (78′).

Në këtë mënyrë, Llapi iu gëzua fitores së tretë nga katër ndeshje, ku ka regjistruar edhe një humbje,

Nga ana tjetër, Drita e pësoi edhe humbjen e tretë në këtë fillimsezoni në Superligën e Kosovës në futboll.

Kampioni në fuqi numëron vetëm tri pikë nga katër xhirot e para, nga vetëm një fitore dhe tri humbje. /Telegrafi/