Lladrovci shkel Rregulloren e MPJ-së, që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale [dokument]

E publikuar: 01/03/2016 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci është përfshirë në akuza e kundërakuza me deputetin e Vetëvendosjes , Rexhep Selimi, për të bëmat e tyre gjatë periudhës së luftës, edhe pse kjo nuk është në përputhje me rregullat diplomatike.

Një qarkore, të cilën e ka miratuar MPJ vitin e kaluar, punonjësve të vet ua ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale, qoftë edhe kur ata shprehin qëndrime personale.

Në udhëzuesin, të cilin e kishte publikuar “Koha.net” më 14 shtator të vitit të kaluar, i dedikuar për pjesëtarët e shërbimit të jashtëm të Kosovës, janë vënë ndalesa të rrepta ndaj këtyre punonjësve.

Nxjerrja e qarkores është arsyetuar me qëllim të ruajtjes së reputacionet të Republikës së Kosovës. Kësisoj, atyre u ndalohet çdo komunikim privat në rrjetet sociale që mund të ketë implikim në punën e këtyre shërbyesve.

Shefi i Zyrës diplomatike në Tiranë, Ramiz Lladrovci, iu kundërpërgjigj në “facebook” javën e kaluar deputetit Rexhep Selimi, kur ky i fundit tha se Thaçin e dëshiron president, aq sa e dëshiron familja Jashari. Lladrovci kishte shkruar në profilin e tij, se Selimit ia ka shpëtuar miqësinë me Adem Jasharin, ashtu si edhe jetën pas asaj “tradhtisë” ndaj Adem Jasharit.

Ndërkaq sot ambasadori Lladrovci ka postuar një status tjetër, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Selimit dhënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së. Aty Lladrovci pretendon se ekziston edhe një kasetë ku konfirmohen akuzat e tij, ndaj Rexhep Selimit.

Qarkorja e publikuar më 14 shtator 2015 mund ta lexoni këtu. /Koha.net/