Lista Serbe: Kosova po fabrikon aktakuza ndaj serbëve për ta thyer rezistencën e tyre

E publikuar: 10/03/2019 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq ka thënë se Prishtina po përpiqet ta thyejë rezistencën e serbëve të Kosovës duke montuar aktakuza të rreme ndaj serbëve të shquar, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se fjala është për njerëz nga jeta politike të cilët nga qarqet kosovare janë shënjuar si persona që mund ta udhëheqin popullin serb.

“Kemi dëgjuar se autoritete të Kosovës këto ditë kanë përgatitur dhjetëra aktakuza kundër serbëve të shquar që po bëjnë rezistencë në veri të Kosovës”, ka thënë për Pink tv Simiqi.

Ka shtuar se kjo ka filluar më 23 nëntor në Mitrovicë kur, sipas tij, është bërë përpjekje për ta vrarë nënkryetarin e Listës Serbe Milana Radoiçiqi.

Sipas fjalëve të tij, situata në terren “është nën tension të madh”, pasi, ka thënë ai, nuk mund të parashikohet cilët hapa të tjerë do të merren nga Kosova.

Ai është ankuar te bashkësia ndërkombëtare se po hesht “ndaj shumë sulmeve që po bëhen kundër serbëve kudo nëpër Kosovë”.