Lista Serbe gati të kthehet nëse respektohet marrëveshja e koalicionit

E publikuar: 03/04/2015 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Respektimi i marrëveshjes së koalicionit mbetet i vetmi kusht për kthim në institucionet e Kosovës.
Ky, sipas raportimit të medieve serbe të Beogradit, është qëndrim i përbashkët i përfaqësuesve të komunitetit serb në pushtetin e Kosovës, i dalë nga mbledhja me ta e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Pjesëmarrësit e mbledhjes së sotshme kanë shfaqur shpresën se Prishtina përfundimisht do të jetë e gatshme të pranojë dorën e sinqertë të pajtimit që e ofrojnë bashkërisht Beogradi dhe komuniteti serb në Kosovë me Listën Serbe, fillimisht duke respektuar ato për të cilat është arritur marrëveshja si dhe ato për të cilat ka marrë zotime të saktësuara duke vënë nënshkrimin në Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të koalicionit, transmeton Koha.net komunikatën pas mbledhjes të Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë

Sipas komunikatës, Gjuriq është takuar me deputetët e Listës Serbe në Parlamentin Krahinor, siç e quan Zyra që e drejton ai Parlamentin e Republikës së Kosovës, ndërsa në mbledhje ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, dhe ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, Lubomir Mariq.