Limaj: Kosova duhet të flasë me një zë në dialogun me Serbinë

E publikuar: 16/07/2019 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka pritur sot në takim një delegacion britanik, të kryesuar nga Andrew Page, shef i Departamentit për Ballkanin Përendimor.

Limaj përmes një postimi në Facebook tha se delegacionit britanik ia ka paraqitur qëndrimin se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është një proces në të cilin vendi duhet të flasë me një zë.

Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.

Ky është postimi i plotë i Limajt në Facebook:

Bisedimet Kosovë-Serbi, temë mbi partitë politike dhe ne do të angazhohemi që Kosova të flasë me një zë në këtë proces!

Këtë qëndrim ia shpalosa delegacionit britanik të kryesuar nga Andreë Page, shef i Departamentit për Ballkanin Perëndimor si dhe Susan Laffey, zyrtare e Lartë e Sektorit të Analizës në Zyrën për Punë të Jashtme.

Në takim me mysafirët nga shteti mik, Britania e Madhe, bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, biseduam për zhvillimet aktuale politike në vend, në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi.

Për Kosovën është shumë me rëndësi përfshirja sa më e madhe e Britanisë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo i jep kredibilitet dhe siguri procesit.

Bashkërisht u pajtuam që dialogu mes dy vendeve është i paalternativë dhe se duhet gjetur rrugë deri tek arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve që për epilog do të ketë njohjen reciproke.