Limaj ka një porosi për të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale

E publikuar: 05/01/2019 11:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj vlerëson se fati individual nuk mundet të jetë pengesë për zhvillimin e vendit. Ai u bënë thirrje të gjithë atyre që marrin ftesë nga Gjykata Speciale, të përgjigjen, dhe të kryejnë obligimin para ligjit. Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se është i bindur që edhe nga ky proces do të dilet pastër ashtu siç ka qenë UÇK-ja.

Derisa Gjykata Speciale veç ka filluar punën me lëshimin e ftesave për disa persona në Kosovë, Fatmir Limaj thotë se nuk duhet befasuar tani me veprimet e kësaj gjykate.

Në një intervistë për KosovaPress, Limaj kujton se Gjykata Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës, andaj sipas tij përgjegjësia mbetët tek votuesit.

“Unë çuditem nëse dikush ndjehet i befasuar nga veprimet e Gjykatës Speciale, atëherë kur është votuar është votuar për këtë punë. Ata që e kanë votuar marrin përgjegjësinë e vetë votimit të saj, unë e kam dhënë mendimin tim në kohën e duhur, që është e padrejtë forma dhe mënyra, por tani jemi para kësaj, Parlamenti i Kosovës e ka votuar. U bëj thirrje krejt njerëzve kënd do qe e fton Gjykata Speciale t’i përgjigjet, e ka obligim t’i përgjigjet ligjit. Dhe, kështu kontribuon, respekton vendin e vet dhe ligjin, dhe kryen obligimin e vet qytetar. Nuk mundet fati individual të jetë pengesë e zhvillimit të vendit, këtë nuk guxon askush, të barazojë fatin e tij individual me fatin e Republikës së Kosovës. Arsyet pse është formu e si, është dashur me i fol në 2015-ën, jo tani. Tani është detyrë e çdo qy tetari të këtij vendi, të përgjigjet drejtësisë, pikë”, thotë ai.

Limaj, ndaj të cilit ishin ngritur shumë aktakuza kohë më parë, dhe një pjesë të madhe të jetës së tij e kaloi në gjykata, thotë se është i sigurt që edhe nga procesi i Gjykatës Speciale do të dilet ashtu siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Jam i sigurt që edhe nga ky proces do të dilet ashtu siç ka qenë Ushtra Çlirimtare e Kosovës, dhe ajo që duhet është që tani kjo betejë të zhvillohet në betejën juridike, brenda përbrenda procesit të drejtësisë siç e parasheh kjo Gjykatë Speciale”, thotë ai.

Kujtojmë se muajin që shkoi, ish-luftëtari i UÇK-së, Sami Lushtaku ka pranuar një ftesë që më 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

Përveç tij, ftesë zyrtare nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe Rrustem Mustafa, Sokol Dobruna dhe Nazim Mehmeti dhe disa të tjerë.

Në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë Po Gjykatës Speciale.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, ata votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate, e cila u kërkua nga bashkësia ndërkombëtare.